Ringritja dhe promovimi i figurave të komunizmit duket se nuk është një risi për Bashkinë e Tepelenës. Pasi mbajti iso në këngën labe për Enver Hoxhën, kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi i propozon këshillit bashkiak t’i japë titullin “Qytetar nderi” një prej drejtuesve të diktaturës, Manxhar Binajn.

I vetmi nga anëtarët e djathtë i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, Xhafer Meçe, i cili edhe ka debatuar me shumicën e majtë e ka cilësuar këtë veprim si absurd.
“Këshilli Bashkiak i Tepelenës në shumë raste ka dhënë tituj nderi për të persekutuar, për njerëz që kanë vuajtur në kohën e komunizmit dhe më duket paradoksale që edhe viktimat të nderohen me tituj nderi por edhe ata që kanë qenë persekutorët e tyre. Kjo më duket absurde dhe për këtë arsye ne kemi kundërshtuar”, deklaroi këshilltari i djathtë Xhafer Meçe.

  • foto galeri
  • foto galeri

Mungesa e kuorumit të nevojshëm bëri që votimi për t’i dhënë titullin e nderit një ish-drejtuesi të lartë të diktaturës të shtyhej për seancën e radhës. Nga 15 anëtarë që ka këshilli bashkiak i Tepelenës me shumicë të majtë, vetëm 7 ishin të pranishëm në mbledhje.

Duke shprehur rezervat e tij për kontributin e Manxhar Binajt për Tepelenën,  kreu i këshillit bashkiak Sulo Muçobega i Partisë Socialiste ka këmbëngulur se titullin “Nderi i qytetit” e meriton në mënyrë të parevokushme Gramoz Ruçi. Sipas tij, Ruçi është i vetmi që ka kontribuar për Tepelenën dhe kombin në të dy sistemet.

“Unë nuk e kam për turp që të them që para Manxhar Binës për t’u shpallur ‘Qytetar nderi’ apo ‘Nderi i qarkut’ apo ‘Nderi i kombit’ është Gramoz Ruçi sepse dha kontributin edhe në atë sistem, po jep edhe në këtë sistem. Para Gramoz Ruçit unë nuk mund t’i jap asnjë sekretari të parë nderi i Tepelenës. Edhe habitem me Bashkinë e Tepelenës që pse nuk propozohet Gramoz Ruçi”, tha kreu socialist i këshillit bashkiak të Tepelenës Sulo Muçobega.

Propozimi i kryebashkiakut Tërmet Peçi ka indinjuar kreun e shoqatës së të përndjekurve politik në Tepelënë Kastriot Ajdini.
“Ai kontribut i këtij personi është vetëm negativ. Duke qenë sekretar i parë i rrethit në kohën e komunizmit, me urdhër të këtij sekretari dëboheshin familje, çoheshin në hetim padrejtësisht, dënoheshin padrejtësisht dhe ky i miratonte, i firmoste. Duhet të mbajë përgjegjësi Këshilli në qoftë se e voton”, tha Ajdini.

I ndryshëm ka qenë qëndrimi i qytetarëve të Tepelenës.
“Është e pakuptimshme fare, është e pamorlashme dhe e papërgjegjshme nga këta politikanë që drejtojnë bashkinë këtu, njëkohësisht edhe partinë”, shprehet një qytetar.
“S’kam njohuri, s’kam dijeni lidhur me këtë person fare por përderisa shtrohet përse jo?”, tha një tjetër.
“Unë si popull mendoj që ai ka punuar mirë për Tepelenën”, u shpreh një i moshuar.

Por përse duhet ta meritojë titullin e nderit të qytetit të Tepelenës Maxhar Binaj nga Sevasteri i Vlorës?  Në relacionin që shoqëron propozimin e Tërmet Peçit motivacioni për ish-sekretarin e parë të partisë në rrethin e Gjirokastrës lidhet me “kontributet e larta shoqërore, sociale dhe si iniciator i vizionit të lartë qytetar”.  Manxhar Binaj u rreshtua në formacionet partizane në moshën 13 vjeçare, në vitin 1943. Prej tetorit 1979 ai u emërua sekretar i parë i rrethit të Gjirokastrës si dhe dy legjislatura deputet i Kuvendit Popullor për Tepelenën dhe Gjirokastrën.

Manxhariiiiiiiiiiii
Manxhariiiiiiiiiiii

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb