SHKODËR
Një ndër personat për të cilët është prerë urdhër arresti për skemën e fajdeve në Shkodër është kapur në Morinë teksa tentonte të kalonte kufirin.
Sipas të dhënave zyrtare, në kuadër të operacionit të koduar “MARANAJ” është ndaluar në PKK Qafë Morinë, shtetasi I. S. 38 vjeç, banues në Shkodër, i cili po udhëtonte në drejtim të Kosovës në tentativë për t’u larguar jashtë vendit.
Operacioni po vijon për kapjen edhe të katër shtetasve të tjerë. Sipas Prokurorisë, në këtë skemë janë përfshirë 22 persona, ndërsa 12 prej tyre janë arrestuar duke përfshirë ish-kancelarë në Gjykatën e Shkodrës, noterë dhe policë.
“BalkanWeb” mëson se në pranga ka përfunduar edhe Artan Dragani, ish kancelar në Gjykatën e Shkodrës dhe është pezulluar nga detyra noterja Valbona Hajdari dhe polici Ergys Lohja.
Dhënia e huave bëhej për interesa të larta që varionin nga 3%-20% në javë nga ana e personave të implikuar. Nëse nuk kthehej shuma e huas, sekuestroheshin makinat dhe pronat e personave që kishin marrë huan. Nga ky operacion u sekuestruan, toka, dyqane dhe 500 mijë euro.