SHKODËR

Gjykata e Shkodrës ka rikonfirmuar dy ditë më parë masat e sigurisë, duke dhënë “arrest me burg” për 12 personat e arrestuar, të cilët dyshohen si pjesë e një grupi që jepnin fajde me interes që shkonte deri në 20 % në javë. Për këto arrestime ka folur avokati Anton Kosteri, i cili ka në mbrojtje një prej të arrestuarve të operacionit “Maranaj”, shtetasin Vinko Nikprelaj.

Ai solli disa precedentë të mëparshëm, të cilat sipas tij, personat e arrestuar kanë fituar pafajësinë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit, ndërsa shton  se arrestimi i 12 personave është një show për t’i bërë qejfin qeverisë.

“Së pari duhet të bëj me dije ju si media dhe opinionin publik, që procesi është bërë me dyer të mbyllura, për arsye se shumë nga aktet proceduriale janë sekret hetimor dhe ne kemi marrë përsipër  përgjegjësinë tonë ligjore si për të mos i bërë  publike për opinionin e gjerë. Në lidhje me vendimin si caktimi  i masën me arrest dhe vijimi i masës e sigurimit nga ana e gjykatës, janë shkelje flagrante me ligjin, janë jo në përshtatshmërinë me rrezikshmërinë e këtyre personave.

Për mendimin tim nuk janë masat e duhura që duhet të caktoheshin nga gjykata. Unë jam i mendimit se shumë prej atyre personave të arrestuar nuk duhet të ishte caktuar fare kjo masë sigurimi. Kjo gjykatë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor që nga viti 2014 deri më sot ka caktuar masën e sigurimit në mungesë, ka bërë arrestime dhe më pas këto persona që kanë arrestuar kanë fituar pafajësinë si në Gjykatën e Shkallës së Parë ashtu edhe në Apel.

Dua të citoj që në vitin 2014, është bërë arrestimi i drejtorit dhe zv.drejtorit të ALUIZNIT, të cilët më pas kanë marrë pafajësinë.  Në 2016, janë arrestuar punonjës të Hipotekës, 2017 janë arrestuar profesor, në 2018 janë arrestuar mjekë. Të gjitha këto raste kanë fituar pafajësinë si në Gjykimin e Shkallës së parë ashtu edhe në Apel.

Prandaj, dua të shpreh publikisht se arrestimet të tilla janë për të bërë show, nuk do të arrihet dot të vërtetohet fajësia e këtyre personave. Ky është një arrestim për të bërë show.  Normalisht që dyshimi është publik, që dyshohet se këto persona kanë marrë para me shtesë, gjë e cila nuk është vërtetuar. Shtetasi Paulin Radovani nuk rezulton që të jetë kërcënuar, shantazhuar apo dhunuar psikologjikisht qoftë fizikisht. Ne kemi kërkuar masën e sigurimit detyrim paraqitje dhe zbutje të masë së sigurimit.  Këto arrestime janë për t’i bërë qejfin qeverisë, janë arrestime vetëm për të bërë show dhe jo për të vendosur në vend një të drejtë, që pretendohet se me të vërtetë është shkelur”, tha ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb