Muharrem Nitaj, nënkryetari i AAK i ftuar në studion e emisionit “A Show” në News 24 ka komentuar zhvillimet e nxehta që kanë kapluar vendin e tij këto ditë, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, vendim i marrë ky, pasi Gjykata Speciale e Hagës e ka thirrur për të dëshmuar.

“Nuk mund të themi që lajmi s’ka qënë i rëndë. Na ka goditur shumë, jo vetëm për AAK dhe mbështetësit, por për gjithë Kosovën. Unë besoj se dorëheqja ka qenë e pashmangshme përballë kësaj situate të krijuar. E vlerësoj si një akt të pashembullt të një funksionari të lartë shtetëror. Haradinaj është ftuar si i dyshuare, do ulet përballë një trupe gjykuese të huaj. Ai dha dorëheqjen sepse nuk do ta dorëzonte sovranitetin e Kosovës në një panel gjyqtarësh që nuk janë shqiptarë, por të huaj”, – tha Nitaj.

Por pavarësisht kësaj, Nitaj i dha përgjigje edhe një pyetje që bën çdo qytetar në Kosovë, apo Shqipëri, a do ta arrestojnë Haradinajn në Hagë?

Sipas tij, pavarësisht se: “Është krijuar një bindje që ai do arrestohet, kjo s’ka si të ndodhë. Në Kosovë kanë mbërritur mbi 80 ftesa për njerëz që do japin dëshmi në Hagë. Jam i bindur që nuk do ketë kurrfarë aktakuze për Haradinajn”,- vijoi ai.

I pyetur për akuzat që ngrihen nga kundërshtarët e Haradinaj në Kosovë, një prej tyre ajo e rritjes së pagës së tij, analisti zgjodhi t’i përgjigjej me një shembull nga Shqipëria.

“Kur vjen puna tek paga, mos harroni se tek na s’ka pasur kurrfarë skandali financiar siç jeni mësuar juve në Shqipëri më qeverinë tuaj. Ai është nisur nga bujaria e tij për të rritur pagat e stafit, këtu përfshihet edhe paga e tij”, shtoi Nitaj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb