TIRANE

“Presidenti është zgjedhur nga Parlamenti. Natyrisht jo nga ky, por nga një Parlament krejtësisht legjitim. Presidenti i takon Republikës. Republika u përket qytetarëve”


Pak pas këtyre deklaratave, me te cilat la të kuptohej këndvështrimi i tij mbi Parlamentin aktual, Presidenti Meta ka ndërmarrë lëvizjen tjetër. Përmes një shkrese zyrtare, Kreu i Shtetit i është drejtuar Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, duke i kërkuar t’i vihet në dispozicion lista shumë emërore e deputetëve të Kuvendit, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të opozitës dhe zëvendësimit të tyre.


“Presidenti i Republikës, kërkon dhënien e një informacioni dhe të dhëna të sakta për sa më poshtë: Cili është numri aktual i mandateve të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në shkallë vendi? Vënien në dispozicion të listës emërore të deputetëve aktualë të Kuvendit të Shqipërisë  për çdo zonë zgjedhore për çdo subjekt, si dhe listën emërore të deputetëve aktualë në shkallë vendi”


  • foto galeri
  • foto galeri

Në shkresë thuhet se kreu i shtetit, e ndërmerr këtë hap pas plotësimit të vendeve vakante të krijuar në Parlament pas djegies së mandateve nga deputetët e opozitës. Presidenti nënvizon se e bën këtë kërkesë bazuar në kompetencat që i njeh kushtetuta për marrjen e informacioneve nga isntitucionet shtetërore. Kuvendi aktualisht përbëhet nga 122 deputetë pas shterimit të listave shumëemerore të partive opozitare. Ndërkohë që në nenin 64 të Kushtetutës thuhet se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.”

Pas marrjes së kërkesës nga ana e Presidentit të Republikës administrata e KQZ është vënë në punë për hartimin e përgjigjes zyrtare drejtuar Kreut të Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb