TIRANË

Deputetja e Kuvendit Rudina Hajdari foli për zhvillimet e fundit politike në vend, ndërsa tha se në këto kushte ku ndodhet Shqipëria, opsioni i zgjedhjeve të parakohshme nuk i shërben tejkalimit të ngërçit.

Ajo tha në emisionin “Kjo Javë” në News 24 se nevoja urgjente që duhet të adresohet është reforma zgjedhore. Sipas Hajdarit, ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin atë alternativë që i përfaqëson denjësisht në Kuvend. Ajo u pyet edhe për të ardhmen politike dhe planet e saj për formimin e një partie të re apo thjesht do vijojë të qëndrojë në të njëjtin pozicion. Edhe për këtë çështje, Hajdari e dha një shpjegim duke thënë se nuk ka frikë nga aventurat e reja.

Pjesë nga fjala e Hajdarit:

Hajdari:Reforma zgjedhore do të bëhet një detyrim ndërkombëtar dhe kjo i vë një vulë situatës për të ecur përpara dhe për të zgjidhur krizën. Kjo nuk bëhet për ne, por për publikun shqiptar. Mendoj se ajo që është e rëndësishme është produkti që do të arrijë Komisioni i Reformës zgjedhore. Nuk mendoj se është etike se një grup parlamentar të shpreh idenë e tij se cili sistem është më i drejtë e cili jo. Në këtë debat publik duhet të përfshihen të gjithë: ekspertë, shoqëria civile dhe të na thonë se ku janë mangësitë dhe cilat janë opsionet e tjera dhe të shikojmë me vëmendje se cili do të ishte një sistem më i përshtatshëm.  Nuk duhet të bëjmë një sistem që nuk është i duhur për Hajdarin, por të jetë në dobi të sovranit. Kualiteti dhe mënyra se si është përfaqësuar parlamenti ka rënë, dhe duket që sot Kuvendi është  më i dobët që ka pasur Shqipëria post komuniste.

Pse keni kërkuar largimin e Gjiknurit?

Hajdari:Ne jemi një opozitë konstruktive. Gjëja më e rëndësishme është që ne të vëmë në zbatim të gjitha objektivat. Gjiknuri mund të jetë një person, që është akuzuar dhe sulmuar, por kushte të tilla janë ndonjëherë përcaktuese. Ne duhet ta denoncojmë dhe duhet të jemi të logjikshëm, por nuk mendoj se të merremi me detaje të tilla. Se çfarë do të arrihet është një gjë që duhet parë dhe ne do të bëjmë punën që  reforma do të jetë e gjithëpranuar.

Raporti i ODIHR ishte raport i drejtpërdrejtë. Ishte balancues, i bëri të gjitha palët të ishin fajtorë që ishin në 30 qershor. Ajo që ndodhi ishte faji i të gjitha palëve, që do të thotë se 30 qershori nuk duhet të ndodhte. Shqiptarët nuk duan zgjedhjet pa garë dhe kandidatë. Pa patur një pluralizëm gjithëpërfshirës. Ne lamë 31 bashki pa përfaqësim dhe në këtë rast PS dështoi mënyrën se si organizoi zgjedhjet dhe bëri hilet e saj dhe futi kandidatë që nuk ishin të denjë.

PS ka shumë gabime kur vjen puna për organizimin e zgjedhjeve, por gabimi nuk i bie vetëm PS. Mendoj se në këto kushte është e pamundur të behën zgjedhje të parakohshme. PD duhet të reflektojë dhe duhen të bëhen ndryshime të thella ashtu siç ka kërkuar. Patjetër që jo nuk do të ishin të ndershme, por PD dhe bashkë me mua kemi qenë në Kuvend dhe që në 2013 kemi patur katër palë zgjedhjesh dhe e kemi patur në dorë të adresonim rekomandimet e tyre. Deri tani nuk kemi qenë produktiv dhe është detyra jonë që ta bëjmë këtë për shqiptarët.

Mësimi i vetëm është që ne nuk duhet ta përsërisim këtë ngjarje. Ishte ngjarje fatkeqe. Nuk duhet t’ua heqim shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur. Unë nuk votova, sepse nuk pëlqeja asnjë kandidat. Kjo është në të drejtën time si qytetare dhe jo si politikane.  Për mendimin tim nuk kishte ide dhe nuk pashë shumë fushatë dhe kjo nuk ma dha ndoshta mundësinë që të votoja. Me ato zgjedhje ne treguam se kemi shumë probleme. Unë jam e re në politikë. Ne po punojmë që të jemi të besueshëm. Kjo do të jetë një betejë e rëndësishme, le të mbetemi këtu ku jemi dhe lë të shohim gjërat hap pas hapi.

Keni menduar për parti të re apo një lëvizje politike?

Hajdari:Kjo është një pyteje që për momentin nuk është që i intereson publikut. Nuk është një gjë e lehtë të thuash të formoj një parti politike, sidomos në ambientin shqiptar. Duhet menduar mirë nëse shkoj drejt asaj rruge, por nuk e përjashtoj këtë opsion. Nuk kam frikë nga kjo gjë dhe besoj se nuk është momenti i duhur për formimin e një partie tjetër.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb