TIRANE

Donika Prela, drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krime të Rënda po ndërmerr të gjitha masat, me gjasë për të shmangur një rikthim të mundshëm në institucionin e akuzës në Durrës ku ka emërimin. Përmes një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prela kërkon caktim të përkohshëm në Prokurorinë e Apelit në Tiranë, ose në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo për faktin se me krijimin e Prokurorisë së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ose ndryshe SPAK, institucioni i Krimeve të Rënda shkrihet dhe shumë prokurorë, mes tyre dhe Prela, ose duhet të rikthehen në detyrat e tyre të mëparshme, ose do të do të emërohen në rrethe të ndryshme sipas nevojave të institucioneve.

Në rastin e Donika Prelës, për faktin se ajo është përjashtuar nga gara për në SPAK, atëherë sipas ligjit duhet të rikthehet për të vijuar ushtrimin e detyrës në institucionin ku ka emërimin, pra në prokurorinë e Durrësit. E ndërsa pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë brenda tetorit të marrë vendim për krijimin e SPAK, Prela, i ka paraprirë situatës, pasi me datë 2 tetor depozitoi kërkesën pranë qeverisë së prokurorëve, duke kërkuar trasferimin në një detyrë më te lartë. Sepse sikurse thanë burimet pranë këshillit ajo kërkon të shkojë prokurorinë e Apelit dhe nese është e mundur edhe në prokurorinë e përgjithshme, institucion që drejtohet përkohësisht nga mikja e saj e besuar, Arta Marku.

Zyrtarisht “qeveria e prokurorëve” tha se kërksesa i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Karrierës dhe pasi të njihet me relacionin e përgatitur prej tij, do të vendosë nëse do ta caktojë përkohësisht Donika Prelën në Apel apo Prokurori të Përgjithshme.

Në fakt ligji, parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë mund të bëjë caktime të përkohshme të prokurorëve, apo drejtuesve të prokurorive, por për këtë vendos sipas nevojave që paraqet secili institucion. Në asnjë rast, caktimet e përkohshme, nuk bëhen me kërkesën e prokurorit. Ndaj qëndrimi që do të mbajë këshilli në rastin e Donika Prelës, do të dëshmojë sesa i paanshëm dhe i pandikuar është institucioni kyc i krijuar në kuadër të reformës në drejtësi, për të qeverisur prokurorët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb