TIRANË
Shefja për politikën të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini deklaroi se nuk ka negociuar në 2017 mes opozitës dhe maxhorancës dhe se nuk do ta bëjë as tani. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Mogherini theksoi se zgjidhjen duhet ta gjejë politika e brendshme dhe se roli i BE-së është të ketë marrëdhënie me të gjithë.
“Unë asnjëherë nuk promovoj, apo hyj në negociata ndërmjet partive politike qoftë brenda apo jashtë BE-së. Këtë duhet ta bëjë politika e brendshme. Roli i BE-së është që të ketë marrëdhënie me të gjithë. Këtij roli i përmbahem. Nuk kam bërë negocime në 2017 dhe nuk e kam bërë as në vendet e tjera”, tha Mogherini.
Sa i përket Kosovës, ajo tha se hapi i parë për rivendosjen e dialogut duhet të jetë heqja e tarifave mbi mallrat serbe.
“Ne kemi kërkuar të hiqen tarifat dhe do krijonte kushtet që dialogu do të fillonte. Nëse do të hiqeshin, do të bëja thirrje për një seancë të re dialogu.
Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Një mjedi sushqyes që sjell këtë gjë do të sillte dhe pezullimin e këtyre fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga lehtësimi i këtij dialogu”, deklaroi ajo.
Lidhur me negocimin e BE-së, Rama tha se negocimi dhe zgjidhja ka qenë tërësisht e palëve në Shqipëri.
“Miqtë dhe partnerët tanë kanë qenë të shqetësuar që të ndihmojnë komunikimin të mundësojnë lidhjen e komunikimit por vendimmarrja ka qenë e jona.
Këtë herë unë mund të them dy gjëra, së pari nuk shoh askënd që të shqetësohet si në 2017. Natyrisht jo sepse çka ka ndodhur nuk është shqetësues por sepse çka ka ndodhur i tejkalon të gjithë kufijtë e të durueshmes nga pikëpamja e kornizës demokratike të bashkëjetesës. Për sa më takon ka ardhur koha që t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji. Zgjidhjet për të kaluar një krizë të krijuar nuk na kanë ndihmuar të rritemi më shpejt dhe të bëhemi më të fortë.
Zgjidhjet e asaj natyre i kemi provuar. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një maxhorancë për opozitën për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar dhe afat gjatë, nuk funksionuan. Kush qëndron në sistem qëndron, kush nuk qëndron ka zgjedhjen e vet të lirë por nuk ka shans të pengojë të tjerët të qëndrojnë në sistem”, theksoi ai.
(m.k/BalkanWeb)