Nga studio e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili, Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur pyetjes nëse do ta shpërndajë ose jo Parlamentin me 122 deputetë, nga 140 që përcaktohet në Kushtetutë.


PJESË NGA INTERVISTA


Gazetarja: Shpesh thoni që parlamenti ka 82 deputetë. A keni menduar ndonjëherë ta shpërndani atë?
Presidenti Meta: Që parlamenti nuk i ka 140 biem dakord, kemi konsensus këtu? Duhet që parlamenti të ketë 140 vota. Është në Kushtetutë. Tani ju po kaloni te numri 82. Mendimi im ose vlerësimi ka qenë shumë i qartë, që nga deklarata ime e Pogradecit, që nuk ka qenë një deklaratë e rastësishme, që ky parlament plotësisht legjitim ka 82 apo 83 deputetë, duke përfshirë dhe ata 3 deputetë të PD-së dhe të LSI-së që nuk pranuan të dorëzonin mandatet.


Gjithçka tjetër pastaj është e diskutueshme në drejtim të ligjshmërisë sepse janë shkelur të gjitha procedurat që kemi ne për zëvendësimin e mandatave të deputetëve dhe padyshim dhe në kuptim të legjitimitetit, sepse ju e dini shumë mirë se cili është sistemi zgjedhor dhe se si caktohen deputetët. Dhe e dini shumë mirë që nuk janë 60 deputetë të opozitës që kanë dhënë dorëheqjen në bllok, por janë 182 deputetë dhe ish-kandidatë për deputetë nga listat e të gjitha partive opozitare që kanë refuzuar, që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij Parlamenti.

Gazetarja: Për dy pyetjet e fundit nuk mora përgjigje. Çfarë do të bëni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe a keni menduar ta shpërndani Parlamentin?
Presidenti Meta: Unë u dhashë përgjigjen time, Presidenti përgjigjet para Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe para popullit shqiptar, kaq! Duan ta vënë Presidenti ta gjykojnë para popullit shqiptar? Zgjedhje për Presidentin sot, jo nesër dhe t’i vendosin Presidentit cilindo kandidat që ta mendojnë se do ta mbrojë Kushtetutën dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë më mirë se Presidenti aktual.