Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i PD-së dhe Kuvendit, në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24 tha se Sali Berisha ka elektrizuar mbështetësit e tij, pas heqjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Duke e cilësuar masën ndaj Berishës si politike, dhe duke folur për protestën e fundit, Gjekmarkaj tha se prania e z. Berisha në protestë, pas lirisë së tij, ishte qartësisht e dukshme nga pjesëmarrja e njerëzve.
Nënkryetari i PD-së theksoi se Berisha ka elektrizuar jo vetëm mbështetësit, por edhe strukturat, që kuptohet që sot janë më të angazhuara, dhe kjo dukej me përgatitjen e protestës së fundit.
Por a mund të arrihet te Qeveria teknike përmes protestave?
Gjekmarkaj tha se protestat e opozitës apo mosbindja civile është pasqyruar në të gjitha mediat ndërkombëtare dhe kjo ka rritur peshën në selitë diplomatike të vendeve përkatëse.
“Ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri teknike, që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ne kemi detyrën morale dhe politike që të bëjmë përpjekjen me të gjithë fuqinë tonë”, tha Gjekmarkaj.
Ai tha se nëse nuk arrihet kjo, nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të kemi zgjedhje të manipuluara.
“Ne kemi një strategji për t’i fituar zgjedhjet. Me zgjedhje të lira dhe të ndershme mund të kishim një fitore spektakolare”, tha Gjekmarkaj. Ai tha se vullneti për ndryshim do të trimfojë përballë një qeverie që duhej të kishte ikur prej kohësh.