Deputeti dhe kreu i demokratëve euroatlantikë, Lulzim Basha, ka konfirmuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit përmes një koalicioni. I ftuar në emisionin “Open”, Basha sqaroi se kjo qasje do të ndjekë modelin e përdorur nga ish-kryeministri Sali Berisha në zgjedhjet e vitit 2023.
Kujtojmë se Berisha, i cili nuk kishte logon e PD në zgjedhjet lokale të vitit 2023 u fut në zgjedhje duke përdorur logon e Partisë së Lirisë, e cila ishte pjesë e koalicionit zgjedhor.
“Nuk do të krijojmë një parti të re, ne e kemi një që është uzurpuar nga zoti Berisha me ndihmën e Ramës dhe presim vendimin e gjykatës. Do ta çojmë këtë betejë deri në fund, deri në Strasburg nëse është e nevojshme,” u shpreh Basha.
Ai theksoi se do të garojnë me listën e tyre të kandidatëve, duke përdorur hapësirat ligjore që ofron një koalicion për të përmbushur kriteret teknike të regjistrimit në zgjedhje.
“Ne do të hyjmë me koalicion, duke përdorur mundësitë që na japin partitë e koalicionit për të përmbushur teknikalitetet, në një farë mënyrë si e bëri zoti Berisha në zgjedhjet e vitit 2023. Nuk do të krijojmë një parti të re, ne e kemi një që është uzurpuar nga zoti Berisha me ndihmën e Ramës dhe presim vendimin e gjykatës dhe do t’i shkojmë kësaj beteje deri në fund, deri në Strasburg po të jetë e nevojshme. Ne do të jemi me listën tonë të kandidatëve në zgjedhje”, u shpreh Basha.
(BalkanWeb)