Zëvendësministri i Brendshëm i vendit Besford Lamallari i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News 24”, duke folur për mundësinë e kthimit së vizave nga BE për shqiptarët, deklaroi se nuk ka arsye për shqetësim. Lamallari u shpreh se Komisioni Europian e merr në fund vendimin dhe se KE ka pasqyruar një raport –progres pozitiv për vendin tonë.

“Mund të them se nga Holanda ka zyrtarë të cilët kanë mbajtur një qëndrim pozitiv ndaj Shqipërisë. Kritikat që vijnë duhen parë edhe nga fakti se në Holandë ka parti politike të djathta dhe me pikëpamje ekstremiste. Ambasada holandeze gjithashtu ka dhënë mbështetje për qeverinë shqiptare.

Zyrtarë të lartë holandezë kanë thënë se Shqipëria kë bërë punë tepër të mirë për të ndaluar emigrimin e paligjshëm. Ministri i Brendshëm holandez pati theksuar se kishte rënie të personave të dyshuar të përfshirë në kriminalitet. Raportet e Eurostat për kriminalitetin shqiptar në Europë nuk është shqetësues. Shqiptarët zënë vetëm 0.19 për qind të të dyshuarve në Holandë dhe më pak të dënuar. Kjo nuk përbën arsye që të dënojë një popull të tërë. Kriminaliteti përdoret politikisht në vendin tonë për të kritikuar qeverinë. Nuk ka arsye për shqetësim, shqiptarët lëvizin lirshëm brenda rregullave.  Ai që vendos është Komisioni Europian, që vendos në fund dhe nga KE nuk ka vendim. Komisioni Europian ka dhënë shenja pozitive për vendin, ka një raport pozitiv për Shqipërinë”, tha Lamallari.

Numri dy i Ministrisë së Brendshme tha më tej se progres-raporti i KE-së vuri në dukje një sërë arritjes të Shqipërisë, edhe në fushën e sigurisë.

Raporti i Komisionit Europian flet për përparime të Shqipërisë në drejtim të goditjes të veprimtarive kriminale. Komisioni ka vlerësuar se ka pasur progres të prekshëm në përmirësim të dukshëm në luftën ndaj organizatave kriminale. Në raport përmendet se janë goditur persona me influencë që drejtonin grupime krimi. Gjithashtu, policia ka bërë një punë shumë të mirë në goditjen e trafikut të drogës. Po ashtu, bashkëpunimi me FRONTEX rrit sigurinë në kufi dhe parandalon emigracionin e paligjshëm. Kemi edhe nënshkrim për të sejllë oficerë të Interpolit”, vlerësoi Lamallari.

I pyetur për arrestimin e Gjergj Cukalit, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, zv.ministri u shpreh se kjo tregon se policia është bërë më produktive në goditjen e krimit.

“Mund të them se policia ka punuar shumë mirë për të arrestuar vrasësin e Arben Bilalit, Gjergj Cukali. Policia tashmë po vepron me metoda të avancuara për të zbuluar krime si vrasja. Policia ka arritur të jetë profesionale, duke vijuar që të punojë në drejtim të dokumentimit të çdo lloj krimi. Për vrasjen e Bilalit, është hetuar dhe është provuar plotësisht. Për motivet nuk mund të shprehem, duhet të presim organet e zbatimit të ligjit. Situata aktuale është totalisht nën kontroll. Vlerësoj shumë bashkëpunimin e qytetarëve me Policinë e Shtetit. Vihet re se qytetarët denoncojnë në mënyrë të vazhdueshme në numrin 112. Qytetarët janë aleatët tanë më të mirë dhe të besueshëm. Është e rëndësishme që media, të gjithë faktorë të ndikojnë që policia të shërbejë për qytetarët e vendit dhe në emër të ligjit”, shtoi Lamallari.

Më tej, Lamallari mbajti një qëndrim edhe për aksionin e policisë sot në Krujë.

“Policia e Shtetit është në këmbë për të siguruar që nuk do të ketë probleme në asnjë pjesë të territorit të Shqipërisë për kultivim të kanabisit. Komisioni Europian ka vënë në dukje se policia ka bërë punë në goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike. Nuk ka situatë të alarmit të mbjelljes me kanabis në vend. Fenomeni në mënyrë te veçantë ekziston kudo, por fakti se Policia e Shtetit godet në momentet e para është për t’u përshëndetur”, tha Lamallari.

Besford Lamallari theksoi se policia e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë punën e saj në mënyrë korrekte në lidhje me protestat opozitare. Ai shton se protestat duhet të jenë paqësore, ndërsa vlerëson  se çdokush që shkel ligjin e bën protestë të dhunshme, do të përgjigjet ligjërisht.

“Protesta e opozitës ka bërë që policia të marrë masa dhe nuk mund ta mohoj se forcat policore kanë qenë aty për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Uroj që protestat mund të jenë të dhunshme. Sa i takon protestës së 2 qershorit, policia ka marrë masa për të qenë e suksesshme, gjithmonë duke mos qenë agresiv, por brenda normalitetit, me plan të mirë-koordinuar. Mendoj se policia e ka treguar se di të sillet me protestuesit. Policia ka treguar se nuk fal askënd, pasi ligji duhet të qëndrojë mbi çdo gjë. Kjo do të thotë se protesta duhet të jetë paqësore, ndërsa për dhunën ka ligje. Sa i takon gazit që përdoret, është normal, i përmbahet standardeve”, deklaroi Besford Lamallari, zëvendësministër i Brendshëm.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb