Deputeti i PD-së Dashnor Sula, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 nga moderatorja Ina Qirjo, u pyet se a do të marrë pjesë në protestën e Partisë së Lirisë përpara SPAK, që pritet të zhvillohet nesër.

Sula deklaroi se ai vetë personalisht nuk do të marrë pjesë në këtë protestë. Deputeti demokrat shtoi se nuk ka një vendim nga grupi i PD për të marrë pjesë në protestën e PL për lirimin e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Megjithatë, Sula shtoi se qytetarë të ndryshëm mund të dalin në protestë dhe kjo është diçka normale në demokraci.

Nga nesër, nis një lëvizje e madhe, teksa PD do të ketë kontakte me çdo qytetar. Do të trokasim në çdo derë të qytetarëve shqiptarë. Sa i përket pyetjes suaj se a do marr pjesë në protestën e PL para SPAK, di të them se personalisht nuk do marr pjesë në këtë protestë. Nuk ka një vendim nga grupi parlamentar i PD për të marrë pjesë në protestë përpara SPAK. Ne nuk na kërkoi vetë Berisha, që të protestojmë para SPAK, edhe pse lideri demokrat qëndroi në “arrest shtëpie” shumë kohë. Unë gjithmonë kam qenë në mbështetje të institucioneve të drejtësisë. Në këtë vend, në çdo institucion ka probleme dhe ne thjesht kritikojmë, kur gjërat nuk shkojnë siç duhet. Nëse do dalin qytetarë të protestojnë para SPAK, jemi në demokraci dhe çdokush ka të drejtën e protestës. Do iu bëja thirrje qytetarëve mos ta paragjykojnë opozitën. Mund të kemi problemet tona, që janë të zgjidhshme, por nuk krahasohemi asesi me këtë maxhorancë, e cila po na çon në shkatërrim”, tha Sula.

Lidhur me zhvillimet e sotme në Kuvend, Sula tha se maxhoranca është mësuar të thyejë rregulloren. Ai akuzoi deputetin e PS Erion Braçe se ka bullizuar një zonjë, deputeten Ina Zhupa.

“Nuk e kuptoj se përse kanë rënë në këtë derexhe. Vendimi për Olta Xhaçkën nuk po zbatohet. Këto janë mësuar që të thyejnë rregulloren e Kuvendit. Ne kemi kërkuar që të vetëdeklarohen deputetët që kanë përdorur Sky Ecc. Kanë frikë se janë zhytur deri në fyt. Është e tmerrshme se ku shkojmë. Këto nuk duan t’ja dinë për njezërllëk, për rregullore të parlamentit. Interpelanca për vdekjen e një adoleshenti do të bëhet. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi aparate për personat me sëmundje të rënda dhe kjo është dramatike. Në këtë vend është varur një person në burg për ca të holla. Erion Braçe ofendoi një zonjë në parlament, ishin ngacmime seksuale që i bëhen një femre, ka kaluar hendekun e bullizmit. Gjobat për ndërtimet pa leje po falen para zgjedhjeve. Grupet kriminale kanë ndihmuar maxhorancën për të blerë zgjedhjet. PS dhe Rama kanë kuptuar se këto janë momente kritike”, u shpreh Sula.

Në fund, Sula foli edhe për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, që është vendosur më 11 maj. Ai tha se kjo ishte datë e paracaktuar, duke thënë se presidenti Begaj është qartësisht i njëanshëm në vendimet që merr.

“Presidenti nuk meriton respekt. Nuk ka këllqe, është i tredhur. E ka emrin Bajram, por duhet ta kishte haram. Presidenti është kthyer në vegël të qeverisë. Shpalli datën 11 maj për zgjedhjet, për interesa të Ramës. Është një shërbëtor, që nuk e respektojmë. Presidenti i vendit është i njëanshëm. Jetojmë në një vend ku antivlerat po na shiten si vlera”, përmbylli Sula.

(d.xh-Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb