Një hap përpara luftës gjithëpërfshirëse, e aftë për t’i vënë flakën “fuçisë së barutit” të Lindjes së Mesme, Izraeli është përballë me Hezbollahun, të cilin e fajëson për një goditje vdekjeprurëse në lartësitë e Golanit që rezultoi në vdekjen e 12 fëmijëve. Izraeli – i cili po shqyrton se si të “hakmerret” për sulmin – është zotuar se grupi libanez (i cili mohon se qëndron pas sulmit) do të “paguajë një çmim të rëndë”, ndërsa aleati kryesor i Hezbollahut, Irani, paralajmëroi për “pasoja të papërshkrueshme” nëse ai e sulmoi atë.

Edhe pse përleshjet mes dy palëve nuk janë të rralla në rajon, këtë herë termometri është ngritur në mënyrë të rrezikshme. Mijëra persona që morën pjesë në funeralin e 12 fëmijëve kërkuan hakmarrje, ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërpreu udhëtimin e tij në SHBA dhe u kthye me nxitim në atdheun e tij, ku mori pjesë në takimin e këshillit të luftës. Teksa Bejruti bën thirrje për një hetim ndërkombëtar për sulmin vdekjeprurës, IDF kreu sulme ajrore herët në mëngjes “thellë brenda territorit libanez”, ndërsa rreth orës 5 të mëngjesit të sotëm, kapi me sukses një dron që ishte nisur nga Libani.

Ndërsa këshilli i luftës i Izraelit nuk ka njoftuar se si do të hakmerret, komuniteti ndërkombëtar është në gatishmëri të lartë, duke përdorur të gjitha kanalet diplomatike për të shmangur një luftë Izrael-Hezbollah që mund të ndezë një shpërthim më të gjerë në rajon. Mund të ketë pasoja të dhimbshme për të dyja palët, por veçanërisht për Libanin, i cili është zhytur në një krizë të thellë ekonomike shumëvjeçare, ku 80% e popullsisë së tij jeton nën nivelin e varfërisë. Vendi po kalon gjithashtu një krizë politike, pasi nuk ka qenë në gjendje të zgjedhë një president për dy vjet, me qeverinë mjaft të dobët të vendit që ka pak – në mos aspak – ndikim mbi Hezbollahun, i cili është nën mbrojtjen e Iranit dhe, si Hamasi është cilësuar si organizatë terroriste.

Hezbollahu mund të mohojë përgjegjësinë për sulmin, por ndaj tyre ka disa prova ‘të forta’. Pak para se të bëhej e ditur ngjarja, Hezbollahu kishte njoftuar se kishte sulmuar Brigadën izraelite Hermon me një raketë iraniane Falaq. Fakti që Brigada izraelite është e vendosur në malin Hermon, rreth 3 kilometra nga vendi i sulmit vdekjeprurës, shton mundësinë që raketa e Hezbollahut të ketë humbur objektivin e saj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: