Nga: BEN ANDONI *
Ka të ngjarë, ndaj na duhet realisht të shqetësohemi, se edhe çështja e Komanit mund të mbyllet si Durrësi. Edhe pse butaforia e kësaj tollovie për “Kulturën e Komanit” në Dalmacie nuk i ngjan asfare asaj të fshirjes së seksionit antik artizan të Durrësit. Ndërsa për këtë të fundit u hesht, u zgjatën procedurat, kinse u ngatërrua, ekipe nga ministria shkonin dhe hulumtonin në strukturën zejtare antike, gjoja kundërshtonin, në fund ndërtimi mbi të u krye, duke prishur një nga zbulimet më të mëdha arkeologjike të njëzetë e pesë viteve të fundit;… mbi Komanin ka ende kohë. Konvencioni “Koman” ka të bëjë me një kulturë, emëruar prej vendit të parë ku është gjendur inventari i asaj, që përbën një nga elementët e vazhdimësisë së identitetit tonë iliro-arbëror. Kazma e arkeologut ndih në këtë rast mungesën e dokumenteve të disa shekujve për historianët.
“Kultura e Komanit” është prezente, përveç, edhe në Shqipërinë e Jugut, si dhe përtej: në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi. Jo vetëm kaq, Komani përfaqëson për Evropën e shekujve XIX-XX, vendbanimin më të shquar për Mesjetën e hershme në Adriatikun Lindor, i cili i dha emër një qytetërimi të tërë të Ballkanit Perëndimor, që u identifikua me shqiptarët e hershëm. Kjo bëri që Qytetërimi Arbëror i Komanit t’futej krenarisht në tekstet shkollore të historisë në Kroaci, Hungari, Serbi, Maqedoni, Greqi e sigurisht në Shqipëri.
Problemi, në rastin tonë, është gati matematik: Katër nga shtyllat e linjës së OST-së Shqipëri-Kosovë do ta përshkojnë të gjithë luginën e Drinit. Ato do përshkojnë thellë luginën e Komanit, do kalojnë poshtë në Koman-fshat, e mu në mes e paralel me kodrën e sitit arkeologjik. Një vendim i parë i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), pranë Ministrisë së Kulturës, pa marrë parasysh kërkesat e misionit arkeologjik shqiptaro-francez të respektimit të zonës arkeologjike të Komanit, pikërisht për vlerat e tij të jashtëzakonshme arkeologjiko-mjedisore, doli me një qëndrim pro-ndërtimit. Kërkesa që shoqërohej me kopjen e plotë të dosjes administrative për zonifikimin arkeologjik të Komanit, dorëzuar nga misioni arkeologjik në Sekretarinë teknike të KKA, duket se nuk bëri punë. Dhe, ishte një justifikim: arkeologët nuk ndodheshin! Që nga Parisi, arkeologia Nallbani, që drejtonte këto gërmime s’mund të vinte. Kolegët e saj të arkeologjisë flinin. Të mendosh se në një strukturë të tillë si KKA, ku duhej të funksiononte oponenca në shkallën më të lartë vendoset thjesht, atëherë frikësohesh për vendimet e strukturave të tilla. Por, ta lëmë për pak çaste punën e KKA-së. Nëse nuk do të spostohet segmenti i propozuar i linjës së OST, çdo arritje e deritanishme e arkeologëve, sipas tyre, shkatërrohet. Asnjë gërmim nuk mund të realizohet më me teknikat bashkëkohore (flitet për teknikat moderne me gjeofizikë, gjeoradar, dron) për shkak të fushave magnetike që krijohen. Investimi evropian shkon dëm, mundësia e investimeve madhore të së ardhmes ndërpritet. Asnjë turizëm nuk mund të zhvillohet, e jo të ëndërrohet për Park arkeologjiko-natyroro-industrial.
Për ata që janë lodhur nga zhurma dhe lufta e arkeologëve, problemi është fare i thjeshtë në dukje, por gati i pamundur për malin pa inerci të burokracisë shqiptare. Kjo e fundit mund të nënkuptohet me elegancë si e tillë burokraci, por shpesh na ka treguar se është dashakeqe, pas simbolikës së atij masivi, që nuk lëviz lehtë. Për fat, ka ende sinjal pozitiv prej ministres së Kulturës, që ka deklaruar live në TV se: ‘Vendimi përfundimtar do merret kur të dëgjohen të gjithë aktorët’. Po, mu bash këtu është problemi, pasi aktorët që duhet të mbështesin dhe t’i japin zgjidhje pa- mëdyshje mu këta heshtin dhe nuk po flasin. Po hesht komuniteti i arkeologëve, por po heshtin edhe historianët përveç pak zërave, që janë të përfshirë direkt aty. Etleva Nallbani, njeriu që drejton gërmimet dhe e ngriti natyrshëm shqetësimin, është bërë personazhi më mediatik duke shpjeguar jo vetëm vlerat, por edhe risitë e këtij siti, që gjithnjë e më shumë po përshfaq vlera të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër, specialisti Gjergj Frashëri, që u gjend vetë para një situate të vështirë në Durrës, çuditërisht e sheh të mundshme ndërtimin…
Së fundmi, ka një vendim inkurajues të Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë që ka dalë me një përgjigje institucionale: e do vendbanimin tërësor, se nuk do bëjnë sondazhe dhe pas respektimit të këtij vendimi, diskutohet se ku duhet të zhvendoset linja. Po pse na lodhni me Komanin?, – do thoshte natyrshëm dikush. A nuk na del vallë mali i problemeve me taksat? Jeta që shtrenjtohet. Energjia? Përgjigjja është pak patetike, por gjithsesi e vyer. Komani na bën arbër. Arbër dhe prej vërteti. Dhe e nënvizojmë këtë, pasi në mendje të vjen Durrësi.
Edhe pse nuk ka me Komanin paralele procedure, ka paralele si shkoi zgjidhja e problemit. Falë paaftësisë dhe makinacioneve së vendimmarrjes së strukturave të trashëgimisë, që të vendosnin si duhet dhe me kurajën e tyre profesionale, zbulimi, që i referuam Durrësit (prej ICOMOS-it vlerësohej se: “Ky është pikërisht ajo që i mungon Pompeut, kuartalli artizan”) s’është më. Të mendosh: Komani është kilometra larg, në një rrugë gati të shkatërruar, me një site që pret ende fonde (pak arkeologë kanë shkuar në site), përkushtim dhe vite punë, kurse Durrësi është para syve tanë dhe specialistët nuk mund të ndalonin jo vetëm këtë, por në mbi 20 vjet me radhë plot gjashtë gropat gjigante, ku janë gjetur objekte të antikitetit, të cilat më pas u kthyen në ndërtime shumëkatëshe. Ndaj shqetësimi është i madh. Do të ishte e rëndë, madje do të përbënte një skandal pa precedentë shkatërrimi i pakthyeshëm i një trashëgimie të tillë, me të cilën jo vetëm identifikohemi për disa shekuj, por edhe që na tregon të pazotë në vendime të tilla.
Pra, pak vullnet për të gjetur mënyrën për të spostuar vetëm katër shtylla, në shpatet e përtejmë të kodrave, duhet nga zyrtarët e KKA-së dhe specialistët e OST-së. Vetëm kaq kërkohet. Nga Komani, sipër mund të këqyrësh male e kodra, që Shqipëria i ka për fat me shumicë e ku mund të shtrihen kabllo. Është e vërtetë që do mund të kushtojë pak më shumë, por do kemi mundësi që t’u besojmë arkeologëve tanë dhe të krenohemi ne brezi që jetuam në shekullin XXI, se ruajtëm dhe bëmë diçka. Ndaj vendimi i mëparshëm i KKA-së dhe ftohtësia e verdiktit s’është thjesht një vendim i thjeshtë burokratik, që jemi në rregull me letrat. Teknikisht, ata dhe i gjithë komuniteti që lidhet me të, duhet të ngrihen dhe të shpëtojnë ato pak gjëra që na kanë mbetur, pasi këtë herë të gjithë jemi në një anë, atë të mbrojtjes dhe kultivimit të kulturës kombëtare. Edhe pse është e vështirë, s’është ende vonë. Durrësi na e mësoi këtë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: