Zyrtarët amerikanë dhe ata kinezë u takuan këtë javë për herë të parë pas gati dy vitesh, për të biseduar rreth incidenteve mes anijeve dhe avionëve të dy fuqive ushtarake në rajonin e Paqësorit. Bisedimet që zgjatën nga e mërkura deri të enjten në Havaji, shënojnë rifillimin e dialogut të ndalur nga Pekini menjëherë pas vizitës që bëri ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në Tajvan, ishullin që pretendohet nga Kina.
Zyrtarët kinezë e kanë kritikuar mbështetjen amerikane për Tajvanin, duke e konsideruar atë një ndërhyrje. Zyrtarët amerikanë thanë se grupi konsultativ për çështjet ushtarake detare (MMCA) mori në shqyrtim aktivitetet që kanë të bëjnë me sigurinë gjatë viteve të fundit dhe diskutuan rreth mënyrave për të ruajtur sigurinë operacionale dhe profesionalizmin mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. “Kemi vënë re një ulje të veprimeve të pasigurta mes nesh dhe anijeve dhe avionëve të Ushtrisë Popullore Çlirimtare gjatë muajve të fundit dhe ndjehemi të inkurajuar nga kjo”, u tha gazetarëve një zyrtar amerikan që kërkoi t’i ruhet anonimiteti.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të veprojnë me siguri dhe profesionalizëm në rajonin Indo-Paqësor kudo që na e lejon ligji ndërkombëtar dhe ne e marrim shumë seriozisht këtë përgjegjësi. Komunikimi i hapur, i qartë dhe i drejtpërdrejtë me ushtrinë kineze dhe forcat e tjera ushtarake në rajon, është i rëndësisë parësore për të shmangur aksidentet dhe keqkomunikimin”, shprehet në një deklaratë drejtuesi i delegacionit amerikan, koloneli Ian Francis. Nëntorin e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden u takua me homologun kinez në kuadrin e takimit të nismës për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor që u mbajt në San Françisko. Rreth një muaj më vonë, shefi i shtabit amerikan gjeneral CQ Brown bëri një bisedë me video me homologun kinez.
Zyrtarët thanë se në takimet e kësaj jave pati gati 18 zyrtarë të lartë nga të dyja palët. Pekini ka ndërmarrë veprime më të qarta për të vendosur nën kontroll qasjen në Detin e Kinës Jugore dhe për ta rikthyer Tajvanin nën kontrollin e Kinës, nëse do të ishte e nevojshme edhe nëpërmjet forcës. Presidenti Joe Biden ka thënë se forcat amerikane do ta mbronin ishullin demokratik nga sulmi. Pas vizitës së zonjës Pelosi në Tajvan në gusht 2022, ushtria kineze ka shtuar veprimet agresive përreth ishullit, duke kaluar në mënyrë të përsëritur vijën e mesme në Ngushticën e Tajvanit me anijet dhe avionët e saj, si dhe duke nisur raketa mbi Tajvanin, drejt zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Ely Ratner, ndihmës sekretar i mbrojtjes për çështjet e rajonit Indo-Paqësor, tha gjatë një dëshmie në Kongres në tetor 2023 se ka patur mbi 180 interceptime të rrezikshme të avionëve ushtarakë amerikanë nga avionët kinezë gjatë dy viteve të fundit. Këto janë më shumë interceptime se ç’janë evidentuar nga zyrtarët amerikanë gjatë gjithë dekadës së mëparshme. “Nëse përfshijmë edhe rastet e rrezikshme të trysnisë së ushtrisë kineze ndaj vendeve të tjera, numri rritet në gati 300 raste kundër avionëve amerikanë dhe aleatëve gjatë dy viteve të fundit”, tha zoti Ratner. Gjatë njërit prej këtyre rasteve, piloti kinez e afroi avionin gati tre metra pranë avionit bombardues amerikan B-52, ndërsa gjendej në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Kinës së Jugut./VOA