Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” u pyet nëse Partia Socialiste do të hynte në zgjedhje të parakohshme. Ai u pyet po ashtu nëse ka dijeni se a do të mbahen zgjedhje të parakohshme.


“Për zgjedhje, kur të doni fusha është aty. Ne kemi bërë grevë urie që të hapen kutitë. PS është gjithmonë gati për zgjedhje. A do ketë zgjedhje të parakohshme? Nuk e di këtë”, tha Veliaj.


Në lidhje me Unazën, Veliaj u shpreh se do të dëmshpërblehen të gjithë e nuk do të ketë asnjë kaos.


“Pjesa më e madhe e banorëve të Unazës ose janë shpronësuar ose kanë marrë apartamente. Pra, secili ka marrë atë që i takon, sipas përqindjeve që janë në treg. Mund të dalë deri në fund fare ndonjë militant. Ka edhe spekulant, që ka 8 kate, që nuk rri fare aty dhe kërkojnë shumë. Kemi sistemuar edhe në banesa sociale. Nuk ka drama sociale. Ta siguroj. Unë do jap gjithë energjinë time për të bëhet Unaza”, deklaroi Veliaj.

I pyetur nëse ka shumë ndërtime pa banorë në Tiranë, veliaj u shpreh se kjo gjë nuk është e vërtetë.

“Unë kam një debat me pronarin që ka revistën. Ka shumë pronarë që bëjnë të tilla gjëra. Thonë se ka ndërtime dhe nuk banon askush. Është e pavërtetë. Tirana ka 80 banorë më shumë përditë, po shtohet nga dita në ditë. Iu kemi bërë taksën oligarkëve shumë më rëndë. Në një ditë në Tiranë shtohet një pallat”, u shpreh ai.

Erion Veliaj nënvizoi se po punon për Tiranën dhe se edhe situata e ujit do të shkojë gjithmonë e në përmirësim.

“Ne jemi duke punuar për Tiranën, edhe për ujin. Kemi marrë kredi nga BERZH dhe e kemi marrë për shkak të rezultateve tepër të mira. Në Tiranë mund të jetë çmimi i ujit pak më shtrenjtë se në Kamzë, sepse sigurisht niveli i mirëqenies në Tiranë është më e madhe se në Kamzë. Ne po rregullojmë totalisht sistemin”, tha Veliaj.

(d.xh/Balkanweb)