TIRANE– A do të sigurojë Partia Socialiste 71 mandate në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit? Kjo ka qenë një nga temat ku janë fokusuar analistët e ftuar në emision ‘Studio e Hapur’ në ‘News24’, ndërsa kanë dhënë argumentet e tyre.

Përballë moderatores Eni Vasili, gazetari Arjan Çani pohoi se ‘armiqësia’ Rama-Meta është normale, ndërsa shtoi se nuk ka ardhur ende ora e divorcit për koalicionin PS-LSI. Ai e perifrazoi të gjithë situatën politike në vend, përplasjet e tyre të fundit, të ngjashme me atë të një çifti.

“Unë e shoh të tërën. Unë them që më duket gjithçka po ndodh mes dy vëllezërve armiq, Meta dhe Rama, mendoj se është normale. Janë dy parti të veçanta. Kanë ministri, Meta ka ministri atje. Nuk është kollaj të jesh në minorancë brenda qeverisë dhe duke u përplasur me ambiciet e më të madhit. Edhe një çift ka të tilla situata. Mesa duket nuk ka ardhur ora e divorcit. Ata kanë kohë që nuk shkojnë në shtrat me njëri tjetrin, nuk shkojnë bashkë, nuk ka akt. Ku do bëjë hapin i pari, këtë do ta tregojë koha. Manjani duhej shkarkuar që të thoshte ato që tha. Se sa i aftë është Rama ta hedh atë helm nga aty. Tani është diskutimi për zgjedhjen e presidentit dhe unë të isha si Meta do thoja: “Pse mos ta kisha unë presidentin?”. Më duket e përligjur loja e Metës dhe e Ramës. Unë, Tan Hoxha, jemi spektatorë. Shohim këtë film. Unë them shyqyr Zotit që krisma reale nuk ka. Deri tani ky vend po tregon se nuk ka mafie. Ka vetëm pazare.”, tha Çani.

Ndërkohë, analisti Lorenc Vangjeli tha se bëhet fjalë për një pazar të ‘qëruar’, ndërsa pohoi se e njëjta histori ndodhi dhe në muajin korrik me reformën në drejtësi.

“Meta tha shumë qartë se në të gjitha rrethanat, se cilado parti bën 71 vota le të qeverisë e vetme. Më qartë se kaq…Ky është një Pazar i qëruar. E njëjta histori ndodhi dhe në korrik. Në korrik Shqipëria, me miratimin e reformës, me ndihmë ne Metës, dhe ndërkombëtarëve”, tha Vangjeli.

Sakaq, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për herë të parë për qëndrimin e tij ndaj aleatit në qeverisje, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të ardhmes së koalicionit në zgjedhjet e 18 qershorit. Por ‘bomba’ e kryeministrit ishte pikërisht mbi shifrën 71, në të cilën mbështeti argumentin e tij më herët edhe aleati i tij, Ilir Meta. Sipas Edi Ramës, me votat e vitit 2013 dhe ndarjen aktuale të mandateve PS sëbashku me PDIU dhe FRD në koalicion merr 71 mandate.  “Mos harroni: Me votat e 2013-es dhe ndarjen aktuale të mandateve, ne si PS marrim 69 deputete po të jemi në koalicion me LSI, PDIU, FRD e me radhë dhe 71 deputete nëse LSI del veç, sepse e tillë është formula! Por padyshim ka një dallim dhe prandaj llogarinë s’mund ta bëjmë vetëm me mandatet e PS! Ndryshimi është që koalicioni me LSI krijon një mazhorancë solide reformash, jo thjesht një mazhorancë për punët e përditshme… Prandaj LSI është partner strategjik për në”, pohoi më tej kryeministri Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: