Nga Holman W. Jenkins*

“… Kështu që, mbushuni ju grekë. Ju kishit një ekonomi muti, korruptuese, burokratike dhe po kështu e kemi dhe ne. Por ne, Europa, vetëm bëjmë gjoja sikur jemi mjeku juaj, i interesuar për shërimin tuaj, që nuk duam t’ju bëjmë dëm. Ne na interesonte vetëm vetja jonë. Ne luajtëm me ju ndërkohë që prisnim për politikën e “bërthamës” së Europës (d.m.th Gjermanisë) që të ndërronte mendje dhe të toleronte një politikë shpëtimi, nga ana e BQE­së, për “bërthamën e Europës (d.m.th Francën), një “bërthamë” e cila nuk e përfshin Greqinë…”

Cfarë çudie, nuk mund të trajtosh një popull demokratik ashtu si Bashkimi Europian trajtoi Greqinë, dhe të presësh që votuesit të mos revoltohen! Sovraniteti i votuesve ka qenë gjithmonë thembra e Akilit për projektin elitist të Eurozonës. Kjo është arsyeja përse Eurozona sot përballet me krizën e tretë greke, falë zgjedhjes së një partie greke antishtrëngim në zgjedhjet e të dielës. Por një gjë ka ndryshuar. Pas pesë vitesh duke i marrë zvarrë grekët, tani politikanët europianë po u thonë atyre: Vazhdoni, bëni çfarë të doni, dilni nga eurozona po deshët. Ne e kemi të mbuluar shpinën, kështu që, shihemi…
Nuk dua të them që grekët nuk kanë qenë, në një masë të madhe, shkaktarë të fatkeqësisë së tyre. Ekonomia e tyre është e korruptuar, e mbushur me favoritizëm, burokraci, dhe mbi të gjithë këto, grekët i gënjyen kredidhënësit e tyre në lidhje me defiçitet që kishin. Por mënyra se si Europa e trajtoi Greqinë ishte e mbushur me pragmatizëm afatshkurtër që u shërbeu vetëm zyrtarëve të zgjedhur të fqinjëve të Greqisë në Eurozonë. Qasja e Europës nuk ishte kërkimi për rezultatin më pak të keq të mundshëm, që të përjashtonte falimentin. Rezultati më i keq i mundshëm do të kish qenë një çlirim nga borxhi plus reforma serioze nga ana e grekëve, që do të synonin rikthimin e rritjes ekonomike në dobi të Greqisë dhe të kredidhënësve të saj. Kështu bëhet në rastet e falimentimeve, ku objektivi është ruajtja e vlerës. Sistemi grek i taksimit do të ishte bërë më i sheshtë dhe më i ndershëm dhe më pak i shtrembëruar, kështu që pagimi i taksave do të bëhej më pak i vështirë, më pak i prirur të nxiste korrupsionin dhe evazionin. Rritja e taksave që “vret” rritjen ekonomike do të ishte shmangur.
Po kështu do të ishin shmangur edhe shkurtimet destabilizues politikisht të pensionistëve dhe të varfërve, edhe nëse kjo do të kërkonte ndihmë nga ana e qeverive të BE­së. Ideja do të ishte rikthimi i besimit dhe krijimi i një prurjeje investimesh të jashtëm, për të rinisur krijimin e vendeve të punës.
Qasja “më pak e keqe” e mundshme do të pranonte në mënyrë të tërthortë që të dy, edhe huadhënësi edhe
huamarrësi, do të ndanin përgjegjësinë për gabimin e grumbullimit të një borxhi të tepruar, dhe të dy do të përfitonin prej një rikthimi të shpejtë tek rritja ekonomike, gjë e cila do të rriste shanset e kredidhënësve për të marrë mbrapsht paratë e tyre. Por zgjidhja e Europës ishte që ta “tërhiqte zvarrë” Greqinë me shtyrje të pagesës së borxheve dhe versione torturues, që synonin të nxirrnin “dhjamë nga pleshti”. Synimi i vetëm i Europës ishte që të shmangte, të paktën në terma afatshkurtër, çdo gjë që i ngjante faljes së borxheve. Por le të bëhemi mirëkuptues: Shtetet kredidhënës të Europës janë edhe ata demokraci. Votuesit e tyre nuk donin të dëgjonin që ndoshta do u duhej të shpëtonin bankat e
tyre, me qëllim që Greqia t’ia hidhte paq, e në të njëjtën kohë të ruante të gjithë privilegjet e Euros, e madje­madje, edhe të përfitonte prej bamirësisë së qeverive të eurozonës. Edhe më shqetësuese për europianët, nëse Greqia lejohej të mos njihte borxhin e saj ndërkohë që ruante anëtarësinë në BE, atëherë përse të mos e bënte edhe Irlanda, Spanja, Italia dhe Franca? Ofrimi i faljes së borxheve
Greqisë do të shkaktonte një “rendje” drejt këtyre vendeve nga ana e huadhënësve privatë, duke sjellë një krizë financiare mbarëkontinentale, pikërisht ajo që plani i shtrëngimit për Greqinë duhej të parandalonte. Kështu, fuqitë e mëdha Europiane luajtën me Greqinë, me qëllim që të mbronin reputacionin e tyre të brishtë si vende me aftësi paguese. Dhe nëse Angela Merkel e Gjermanisë ka lëshuar sinjale për një gatishmëri të saj, për ta lënë Greqinë të mos paguajë borxhet dhe të largohet nga Eurozone, kjo nuk ndodh sepse bankat europiane janë “pajisur” me kapitalin e mjaftueshëm për të përballuar falimentimin e shteteve huamarrës. Kjo nuk ndodh as sepse Franca, Spanja dhe Italia i kanë zgjidhur problemet që ato kanë me borxhin dhe kanë rizbuluar rritjen ekonomike. Nuk ndodh as sepse taksapaguesit gjermanë kanë rënë dakord, më në fund, për ndryshimin e strukturës së borxhit. Merkeli dhe gjithë të tjerët janë të gatshëm ta lënë Greqinë të “shembet”, sepse në mendjen e të gjithëve është
tashmë e qartë se Banka Qendrore Europiane do të printojë cilëndo sasi parash që të nevojitet për të mos lejuar që Spanja, Italia dhe Franca të bëjnë të njëjtën gjë. Garancitë e kreut të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, kanë qenë të mjaftueshme të paktën për të tashmen e parashikueshme, për t’u lejuar këtyre vendeve që të vazhdojnë të shesin bonot e tyre në tregjet publikë dhe me norma interesi shumë të ulëta. Ftohtësia e shfaqur ndaj Greqisë është ftohtësia e vendeve që tashmë ndihen rehat dhe të sigurtë se “janë shumë të mëdhenj për të dështuar” në sytë e Bankës Qendrore Europiane, ndërkohë që Greqia është tërësisht e lirë të dështojë. Kështu që, mbushuni ju grekë! Ju kishit një ekonomi muti, korruptuese, burokratike dhe po kështu e kemi dhe ne. Por ne, Europa, vetëm bëjmë gjoja sikur jemi mjeku juaj, i interesuar për shërimin tuaj, që nuk duam t’ju bëjmë dëm. Ne na interesonte vetëm vetja jonë. Ne luajtëm me ju ndërkohë që prisnim për politikën e “bërthamës” së Europës (dmth Gjermanisë) që të ndërronte mendje dhe të toleronte një politikë shpëtimi, nga ana e BQE­së, për “bërthamën e Europës (dmth Francën), një “bërthamë” e cila nuk e përfshin Greqinë. Kështu që, edhe një herë, mbushuni ju grekë – dhe ju qipriotë, viktima të një “mbushje” të mëhershme. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se disa anëtarë të Euros janë më të barabartë se të tjerët. Por, ja tek e kam një pyetje: a është Portugalia brenda rrethit të të magjishmëve, apo jashtë?


Botuar në The Wall Street Journal

(ma.ar/bota.al/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: