Në emisionin ‘Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24 u diskutua mbi padinë e Pëllumb Gjokës dhe avokatëve të tij në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të gjykohet në 19 dhjetor, lidhur me mesazhet në Encro Chat dhe Sky ECC, platforma që u çkoduan dhe kanë zbërthyer një seri lidhjesh mes krimit, bizneseve, politikës, njerëzve të drejtësisë etj.
Biznesmeni iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, ku edhe kërkon “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 00-2023-2238(364), datë 22.12.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të vendimit nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 dhe nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj kërkuesit”.
Jordan daci, profesor i së drejtës, në emisionin ‘Log.’ tha se Shqipëria do të ecë në logjikën e vendimeve të Gjykatës së BE-së dhe asaj të të Drejtave të Njeriut.
“Ky është një fenomen që nuk prek vetëm një person, por prek cilindo që mund të jetë i përfshirë. Ligji jonë edhe nëse do të ishte përgjim i ligjshëm konsiderohet si provë apo indicie. Pra edhe këto biseda janë një indicie. Gjykata e Drejtësisë i përcakton përgjime jo të ligjshme, përsa kohë nuk respektohet konventa. Duhet të kuptojmë se është një përgjim masiv, është pa filtra”, tha Daci.
(BalkanWeb)