Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, i ftuar në studion e emisionit Open në News24, ka komentuar rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ndikimin e tij në zhvillimet në Shqipëri dhe Kosovë.
Milo theksoi se, gjatë periudhës kur Trump ishte president, Shqipëria nuk ka hasur në probleme, duke e cilësuar atë si një president “jokonvencional” që solli dinamizëm dhe një stil të veçantë në politikën ndërkombëtare.
“Kur Trump ishte në Shtëpinë e Bardhë, nuk solli probleme për Shqipërinë. Është një president jokonvencional, i cili solli një risi dhe dinamizëm të ri, shpeshherë zhurmues,” tha Milo. Ai theksoi se, megjithëse Trump kishte një stil të veçantë dhe mund të kishte krijuar polemika, nuk kishte asnjë indikacion që Shqipëria të kishte ndjerë ndikime negative të drejtpërdrejta nga politika e tij.
Ish-ministri vuri në dukje se Shqipëria nuk ka arsye të ketë frikë nga mundësia e rikthimit të Trump në presidencë. “Sa na takon ne si Shqipëri, nuk kemi arsye të kemi frikë që Trump po vjen për herë të dytë në presidencë,” shtoi ai. Milo theksoi se shqetësimet kryesore për Shqipërinë lidhen më shumë me çështje të tjera ndërkombëtare, si marrëdhëniet e SHBA-së me Evropën, Rusinë dhe Kinën, të cilat ndikojnë në tërësinë e politikës globale dhe reflektohen në rajonin e Ballkanit.