Është e kotë të flasim se sa e rëndë është kriza në Shqipëri. Mjaftojnë nëntë kushtet nga Parlamenti gjerman për të çelur negociatat për anëtarësim që të kuptojmë se kemi të bëjmë me një krizë të gjithanshme, organike, që ka prekur në rrënjë dhe gati në mënyrë të njëtrajtshme të gjitha degët e qeverisjes së vendit. Kriza bëhet edhe më e rëndë po të shohësh se ka katër vite që qeveria dështon të bindë vendet e BE–së të hapë negociatat, ndërkohë qeveria e Kryeministrit Zaev, i cili ka vetëm dy vite në pushtet, po i hap negociatat pa asnjë kusht.


Kryeministri Rama ka më shumë se gjashtë vite në krye të vendit. Gjatë kësaj kohe, dhe ky është shkaku themelor i krizës organike dhe të gjithanshme të qeverisjes, në Shqipëri është instaluar plotësisht një formë autoritariste qeverisjeje, që thuajse nuk është e njohur në asnjë vend tjetër. Bota ka njohur shumë autoritarizma, nga më brutalët. Sot, shumë forma të tilla qeverisjeje gjenden në mjaft vende. Siç është në natyrën e autoritarizmit të gjitha pushtetet bien nën kontrollin e qeverisë dhe të kreut të saj, të gjitha institucionet nisen e sillen sipas asaj që dëshiron kreu i qeverisë. Një raport padron klient nis e vendoset në të gjitha zyrat e shtetit, mediat dhe kritika zbehen, bien nën kontroll, kërcënohen ose blihen.


Në Shqipëri, këto tipare të autoritarizmit janë bashkuar me diçka që është një gjetje e jona, një gjetje e Kryeministrit Rama. Për arsye të caktuara politike dhe elektorale, një pjesë e botës së krimit të trafikut të drogës u thirr jo në ndihmë të politikës (si herë të tjera dhe si në vende të tjera), por në politikë. Vendi njohu mbjellje me hashash në sipërfaqe të panjohura as në Afganistan (për një ide, sasia e sipërfaqeve të mbjella në Afganistan rritet ose zvogëlohet me 7-8% në vit, ndërsa te ne rritja ishte e pamatshme me hektarë në të gjithë vendin). Në dogana u panë të kalojnë edhe 20 tonë hashash. U shfaq trafiku i drogës me avionë. U kapën sasi të pamendueshme kokaine etj. Kjo pjesë e botës së krimit u përfshi në zgjedhje, në marrjen e pushtetit, në konsolidimin e tij.


Krimi dhe trafiku kanë pasur pushtet dhe kanë qenë të fuqishëm në shumë vende. Politika dhe qeverisja ka vuajtur nga roli i krimit në Kolumbi, në Guatemala, në Honduras, në Kosta Rika, në Meksikë, në Itali etj. Në të gjitha këto vende, edhe në ato ku qeverisja ka pasur tipare autoritariste (Amerika Qendrore) krimi dhe trafiku i drogës nuk kanë qenë të thirrur në politikë. Krimi dhe trafiku kanë korruptuar politikanë, kanë ndikuar në fushata lokale kandidatësh, por, në thelb, këto vende, qeverisjet e tyre kanë qenë përballë krimit. Për fat të keq, nga kjo luftë janë vrarë policë dhe oficerë, kryeartë bashkie dhe politikanë, prokurorë, madje edhe ministra.

Në këto vende, lufta e qeverive ka bërë që të kapen ose edhe vriten në operacione bosë të mëdhenj të krimit, të cilët kanë përfunduar në burg si El Chapo, William Jardine, Jorge Rodrigez, Roberto Gomez, Pablo Escobar, Nuno de Lopez etj., etj. Në Shqipëri nuk është kapur asnjë bos i madh. Në Shqipëri janë kapur masa gjigante hashashi, kuintalë me kokainë dhe asnjë bos i madh. Në Shqipëri, si askund në Meksikë apo Kolumbi, si kurrë në Panama apo Kosta Rika, është akuzuar zyrtarisht për trafik droge dhe krijim strukturash kriminale ministri i Brendshëm dhe drejtorë të lartë të Policisë.

Ka ndodhur që në provincën e Medelin-it në Kolumbi, trafikantët të ndërhyjnë në zgjedhje, ka ndodhur që në Ciudad Suarez në Meksikë trafikantët të ndikojnë zgjedhjet, ka ndodhur që në Katania apo Kazerta në Itali trafikantët të ndikojnë në zgjedhjet, por këto kanë ndodhur jo në mënyrë të ideuar, të drejtuar, të sistematizuar nga qeveria, nga ministrat për llogari të Kryeministrit.

Ajo që u zbulua nga publikimet e gazetës “Bild” për Durrësin dhe Dibrën tregon se bota e krimit dhe pushteti autoritarist janë bashkë dhe mes tyre nuk dihet kufiri. Ajo që u pa në këto dy zona është se kemi të bëjmë me një formë autoritarizmi, në të cilën krimi dhe trafiku si askund marrin pjesë në zgjedhje dhe Kryeministri, përmes këtij mekanizmi, fiton vota dhe mandate sa i duhen për qeverisjen.

Kjo lloj forme e qeverisjes, gati e padëgjuar në vende të tjera, jo vetëm ka nën kontroll të gjitha institucionet, por e ka futur vendin në një kllapi sa entiteti i vetëm që arrin të reagojë fort dhe në mënyrë të organizuar, ka mbetur opozita. Prej gjashtë vitesh, PD dhe kryetari i saj, Basha, i është vënë përballë kësaj forme qeverisjeje. Qeveria, me anë të kontrollit të plotë të mediave, të institucioneve dhe të ekonomisë kombëtare, përpiqet të paraqesë si të keqe, si penguese, si armike, si gënjeshtare, opozitën. Qeveria, duke e ditur se çdo formë qeverisjeje, sado e fuqishme dhe sado në kontroll të institucioneve, nuk mund të mbijetojë shumë kur ekziston një opozitë që i thotë të vërtetat, kur ekzistojnë struktura të organizuara dhe të vetëdijshme që thonë të vërtetën. Kështu që lufta ndaj opozitës duhet të jetë totale dhe qeveria praktikisht këtë bën.

Kjo lloj forme e qeverisjes, mekanizmi kirurgjikal i kontrollit të zgjedhjeve nga pushteti autoritarist me kufi të padukshëm me krimin, ka zhvilluar deri më tani dy palë zgjedhje me kapacitetin e tij të plotë. Zgjedhjet e vitit 2017, të cilat, siç dëshmoi edhe gazeta “Bild”, u blenë në masën që i duheshin qeverisë për të mbajtur pushtetin dhe zgjedhjet e 30 qershorit.

Zgjedhjet lokale të 2019 u bojkotuan nga opozita, e cila kërkoi që të mos legjitimonte më zgjedhje si ato të 2017. Prej të paktën 7 muajsh, opozita, e cila siç thamë ka pasur vetëdijen që në vjeshtën e vitit 2013 se çfarë përfaqësonte qeverisja e re e Ramës, nuk është më një palë politike në kuptimin klasik të fjalës, por një barrierë, një barrikadë, një digë përballë një pale politike që mishërohet te ky pushtet autoritarsit, ku bota e krimit dhe politika nuk dihet ku fillojnë apo mbarojnë.

Pavarësisht të qenit barrikadë, opozita po përpiqet të hyjë në një rrugë që ndihmon klimën e vendit të bëhet më e mirë, të krijojë mundësi që vendet e BE-së të shohin diçka që shkon drejt plotësimit të kushteve të Parlamentit gjerman. Kërkesës së ndërkombëtarëve për bashkëpunim për Reformën Zgjedhore opozita i është përgjigjur pozitivisht.

Opozita ka paraqitur disa kushte, të cilat në thelb pohojnë krizën e gjithanshme të vendit. Kushtet e opozitës janë politike dhe shumë demokratike. Ato nuk përjashtojnë askënd, por ato kanë për premisë faktin që në Shqipëri pushteti është një mekanizëm i qeverisë autoritariste, që, në bashkëpunim me krimin, ka krijuar një zinxhir marrëdhëniesh klient-padron në të gjithë zyrat e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, që më së paku blen zgjedhjet. Në qoftë se opozita nuk do të hyjë në bisedime apo dialog, nuk do të kërkonte një reformë me këtë premisë, atëherë ajo do të kishte dalë nga roli i saj.

Gjë më legjitime dhe më normale sesa ecja me këtë premisë nuk ka. Reforma do të kalojë patjetër nga prishja e këtij mekanizmi të pushtetit. Ky mekanizëm nuk mund të jetë pjesë e reformës, nuk mund të ketë rol në sendërtimin e reformës. Kaq kërkon opozita.

Në fakt, ajo që thonë kushtet e Parlamentit gjerman është edhe më e rëndë. Kryeministri Rama është përgjigjur se ai nuk pranon kushte nga askush. Së pari, kjo mënyrë të shprehuri është tipike autoritariste. Çdo psikolog i sjelljeve politike, po të dëgjonte një politikan kudo në botë të thoshte se “unë nuk pranoj kushte nga askush”, do të thoshte se ky është autoritarist.

Tërë thelbi i politikës është se në të, kushdo vepron i kushtëzuar. Kushdo ka idetë e tij, pikëpamjet e tij, ambiciet e tij, por ai nuk mund të veprojë sikur nuk ekzistojnë ide, interesa dhe ambicie të tjera. Në shoqëri ka grupe dhe shtresa që kanë interesa të ndryshme, ka kategori që kanë besime dhe bindje, të cilat kushtëzojnë çdo politikan, detyrojnë t’i marrë në konsideratë çdo politikan, qoftë ky President apo Mbret. Bernard Krick, nga London School of Economics, thotë se politikanët që nuk pranojnë kushtëzime, është mirë që shoqëritë t’i përjashtojnë, t’i nxjerrin jashtë vetes, këta politikanë në të vërtetë janë antipolitika.

Veç kësaj, Rama, duke mos pranuar dështimin e rëndë katërvjeçar me mosçeljen e negociatave, duke mos pranuar krizën e gjithanshme dhe organike në vend, duke thënë se ai është treni dhe do të vazhdojë përpara, duke thënë opozita (sjellja dhe protestat e saj) dëmtojnë Shqipërinë dhe jo qeverinë, tregon se ai nuk ka interesin më të vogël për vendin dhe njerëzit, për detyrën e Kryeministrit dhe për demokracinë. Detyra e qeverisë nuk është të mbajë qeverinë në këmbë, detyra e qeverisë nuk është të fajësojë opozitën, detyra e Kryeministrit nuk është të bëjë shah me politikën siç thotë, detyra e Kryeministrit nuk është të thotë se nuk pranon kushte. Detyra e qeverisë është të jetë e vërtetë, të mbrojë njerëzit dhe të drejtat e tyre, interesin dhe tyre të përditshëm. Detyra e qeverisë është t’i vërë fre egoizmit, epshit, lakmisë. Rama ka bërë dhe po bën të kundërtën.

Detyrë tjetër e qeverisë është të kuptojë se skllavërimi që ajo kërkon t’u bëjë të tjerëve skllavëron atë vetë. Dhe kjo ndodhur me Ramën. Ai dhe qeveria e tij janë skllevër të biznesmenëve, të detyrimeve ndaj tyre, të krimit, të nevojës për ta etj. Detyrë tjetër e qeverisë është që ajo të jetë ‘e madhe në dije’, thotë Calvin Coolidge, por ajo duhet të jetë edhe më e madhe në përulësi. Në qoftë se qeveria nuk ka përulësi, atëherë ajo është zhytur në injorancë. Kjo i ka ndodhur pikërisht Ramës. Jo vetëm që nuk është një qeveri dhe një lider i përulur si dëshmi e dijes, por është një qeveri dhe një lider arrogant si pasojë e injorancës.

Opozita dhe Basha kanë barrën që të këmbëngulin te politika, kanë përgjegjësinë të mos dorëzohen, pavarësisht se sa antipolitikë bën Kryeministri. Atyre u ka rënë barra të përfaqësojnë një opozitë që nuk është më palë, por është barrierë. Propozimet e opozitës duke dëgjuar ndërhyrjet e ndërkombëtarëve për miratim të reformës, por duke e klasifikuar qeverinë ashtu siç e ka quajtur Parlamenti gjerman, e bëjnë opozitën të jetë politike, me ndërkombëtarët dhe pa dyshim me vendin./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb