NGA: Ben Andoni
Ndër gjashtë kategoritë e çmimit “Nobel”, triumfi i personazhit që lidhet me Letërsinë vjen i dyti menjëherë pas Çmimit të “Paqes”, në atë që konsiderohet si prestigj për vendet por edhe që është menjëherë temë e diskutimit të gjerë botëror.
Lista e atyre që nuk e kanë fituar por që me famën e tyre e kanë kaluar Nobelin është e shumtë. Veç Borhesit të madh shtojmë Tolstojn, Çehovin, Gorkin, Ibsenin, Strindbergun, Zolan, Proustin, Kafkën, Rilken, Brehtin, Kroçen, Hardin, Henry Xheimsin, Mark Tuein, Xhosef Konradin, Xheims Xhois, D. J. Lorenc, Garsía Lorka etj.
Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare mund të quhet më fatkeqi i tre dekadave të fundit në radhën e gjatë të mëtonjësve të letërsisë së Nobelit, që nuk arriti ta merrte çmimin e madh. Mundësia më e madhe për të dukej fundi i viteve ’80 dhe fillimi i viteve ’90, kur ai bëri një akt civil të admirueshëm duke e braktisur regjimin, por edhe se vepra e tij asokohe gjendej në apogjeun e saj sa i përket njohjes ndërkombëtare. Siç ndodh sot në Shqipëri, ende sot debatohet, jo pak herë fyhet, por shkrimtari në mënyrën e vet bëri zgjidhjen e tij, që e lehtësoi disi nga makthi tranzitor i vendit dhe mllefi i akumuluar në dekada. Ai siguroi një largim, që e ruajti nga ajo periudhë krize në Shqipëri por edhe që i dha mundësinë që këtë herë të fliste pa ekuivoke për letërsinë dhe vendin e tij.
Duhet të sqarojmë një fakt: Deri më atëherë, Kadareja ishte druajtur jo pak nga regjimi (Desidenca në Shqipëri matej me kokë dhe ai asnjëherë nuk e bëri këtë), por e bëri ndryshe detyrën për popullin e tij. Ai i fali Shqipërisë një letërsi shumë cilësore, që mund të konsiderohej e barazvlefshme me letërsinë më të mirë të kohës, rroku tema interesante, paçka se shumë syresh kishin grishur dhe kolegë të tij ballkanas; eksperimentoi në formë; në format stilistikore dhe përcolli një Shqipëri krejt të panjohur jo vetëm për publikun e huaj por edhe ata vendas. Hera e dytë ishte në periudhën e luftës së Kosovës kur faktori shqiptar tronditi botën dhe NATO, Aleanca më e madhe ushtarake, u investua për të drejtën e shqiptarëve e Jugosllavisë. Në të dy rastet, Kadare ishte shumë afër Çmimit të madh por nuk u mor parasysh për zhgënjimin e madh të admiruesve të letërsisë së tij, por edhe dy vendeve që e shtynë shumë kandidaturën e tij. E para, Franca e shtyu gati institucionalisht dhe me të gjitha burimet e saj; kurse Shqipëria megjithë admirimin, jo pak herë, u mundua t’i verë pengesë me vogëlsinë karakteristike të mllefit ballkanik. Shkrimtari asokohe dhuroi një nga esetë më të bukura për shqiptarët, që tregonte udhëkryqin e tyre, por edhe sfidat që po përballte dhe që duhej të krijonte për mbijetesën e identitetit.
Në të gjitha rastet, Ismail Kadare mbeti me më shumë me probleme me debatet boshe që u hapën prej vendasve të tij dhe burimet që e anatemuan sesa me faktorin e jashtëm, që e pati më të lehtë ta shmangte.
Një kohë tjetër
Gjithsesi, për ta që i kanë mëshuar shumë faktorit të brendshëm si një nga arsyet kryesore të mos marrjes së Nobelit, tashmë duhet të lehtësohen disi në kuptimin relativ.
Kadareja është një nga fatkeqët jo të pakët të kapriçove të Nobelit dhe aparatçikëve suedezë, që kanë pasur në dorë një strukturë të tillë për të akorduar Çmimin.
Dhe, sot, kur Akademia Suedeze ndan prej 100 vjetësh çmimin Nobel për Letërsi, kemi një realitet krejt anormal. Pas skandaleve të fundit, ku kanë dhënë dorëheqjen shumë anëtarë, ajo ka nevojë më shumë se një reformë për kthimin e besimit në publik dhe sidomos në respektin e botës së madhe të letrave. Çmimet e fundit të akorduar prej saj jo thjesht e kanë lëkundur besimin ndër të, porse ka qenë e pamundur të lenë ndonjë peshë në publik. Të paktën , tre fituesit e fundit të Nobelit, megjithë arritjen e tyre, janë tejet larg talentit të Kadaresë, por edhe peshës dhe forcës së tij për të treguar anatomi të një strukture ndërbotërore si komunizmi, pikërisht nga brenda vetes.
Duhet të sqarojmë se dorëheqjet e anëtarëve kanë qenë zinxhir. Mes të parave vijoi ditët e fundit me anëtaren e Akademisë Katarina Frostenson që ka marrë pjesë në vendimet për dhënie subvencionesh për shoqatën kulturore të bashkëshortit të saj dhe që është zbuluar se i ka bërë të njohur shumë kohë para emrat e shtatë laureatëve të çmimit Nobel. Pas saj kanë dhënë dorëheqje dhe tre anëtarë dhe në fund ka qenë e detyruar të dorëhiqet edhe kryetarja e akademisë Sara Danius. Pra, janë njëmbëdhjetë anëtarë të mbetur, shumë pak për të bërë kuorumin e domosdoshëm për NOBEL.
Gjithnjë publiku është mësuar që kumti që del pas derës të komisionit “Nobel” që e përbëjnë shkrimtarë, studiues të letërsisë dhe të gjuhësisë si dhe nga historianë, është okult dhe askush nuk ndërhyn, por realitetet treguan se gjithçka ka qenë e ditur qysh më parë. Duket se Familja Mbretërore Suedeze duhet ta menaxhojë qartë dhe njëherë statusin e këtij organizimi, që me sa shikohet do e ketë të vështirë pas skandaleve të japë verdiktin për Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2018.

Dhe, Kadare është një nga ata shkrimtarë që vërtetë e meriton këtë vlerësim. Paçka se deri më sot ka rrëmbyer pothuaj të gjithë çmimet më të nderuara në botë falë krijimtarisë së tij të jashtëzakonshme. Është koha që ai dhe vepra e tij të mbështeten fuqimisht. Të paktën Shqipëria zyrtare duhet që ta bëjë e para pa asnjë kompromis dhe me të gjithë forcën e saj.
Çmimi “Nobel” për Letërsinë ka qenë një çmim që kalon edhe vetë këtë fushë, sepse ai është dukur shpesh edhe si një lloj konjukture politike. Vepra e Kadaresë me pikëvështrimet e saj e nderon vetë titullin dhe i rivendos pak nga pak atë stabilitet të rënë, që tashmë duhet marrë parasysh sepse është një nga institucionet e fundit, që ka tradhtuar besimin e njerëzve në të.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/04/22/e-ka-demtuar-kriza-e-nobelit-ismail-kadarene/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: