Nga: BEN ANDONI*

Gjykata e Hagës për krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi pothuaj i është afruar limiteve të mandatit të saj kohor, me dhënien e vendimit për lirimin e ish-liderit të ultra-nacionalistëve serbë Vojislav Sheshelj. I liruar krejtësisht të enjten e 31 Marsit prej nëntë akuzave, gjashtë prej të cilave përmbanin krime kundër njerëzimit dhe të tjerat krime lufte, ai i ka vendosur një nam jo të mirë Gjykatës së Hagës.

Të mendosh vetëm pak javë më parë, njeriu që është toleruar nga Haga thjesht prej sëmundjes së tij mbante marshime dhe anatemonte këdo, përfshirë dhe presidentin dhe kryeministrin e vendit të tij, veçmas Evropës dhe organizmave të saj. Megjithatë, juristët kanë logjikë tjetër dhe tashmë Sheshelj ka shpëtuar dhe mund të konsiderohet si një qytetar pa asnjë problem juridik me institucionin e ngarkuar të bënte drejtësi për luftërat në ish-Jugosllavi.

Sa ia arriti Haga të kryejë misionin e saj? Për hir të së vërtetës, shumë nga vendimet e saj nuk janë pritur mirë, pasi njerëzit në bankën e të akuzuarve kanë marrë shumë më pak vite sesa meritonin, përpos se shumë syresh, për shkak të zvarritjeve juridike janë munduar ta kthejnë bankën e të akuzuarve në tribunë propagande. Rasti i Millosheviçit ishte më flagranti, derisa për fat, kreu i luftërave e mori dënimin nga natyra.

Ndërkohë, që bashkëpunëtori i tij Sheshelj, por edhe njeriu që “e teproi” në propagandë edhe shumë më tepër se Sllobo, i ka filluar bëmat e tij shumë herët. Një kuriozitet: burgun e ka provuar më 1984 kur u burgos për dy vjet sepse kërkonte dominimin e etnitetit serb në hapësirën ish-jugosllave! Kjo ishte e pamundur atëherë në vlagën e Bashkim-Vëllazërimit, por e tregonte paq fytyrën e tij. Izolimi zgjati vetëm pak, sepse fill në kapërcyell të viteve ’80 themeloi Partinë Radikale dhe u zgjodh anëtar i Parlamentit Federativ. Duke mbajtur këtë staturë ultrasi nacionalist kundërshtoi madje edhe Millosheviçin për dobësi në planin e Paqes në Bosnjë dhe u rehabilitua, më 1998, kur ishte zëvendëskryeministër i tij teksa filloi të përshkallëzohej situata e Kosovës. Kjo e fundit, një moment që e fajëson direkt nga Haga. Ai u akuzua që më 2003 dhe aktin më të mirë që bëri ishte se u dorëzua vetë në Hagë, anipse verdikti i Kryetarit të Jurisë Jean-Claude Antonetti ka bërë të papriturën më të madhe, për të gjithë ata që kanë dashur që ai të mbetet pas hekurave sepse me lirimin e tij është amnistuar një pjesë e ndërgjegjes serbe të Luftës..

Dhe, është për të ardhur keq, se njeriu që i përcolli kreshendo turbulencat në gadishull, njeriu që ngriti një armatë vullnetarësh të tërë kundër etniteteve të tjera, të qëndrojë i lirë.
I vetmi që ka kundërshtuar menjëherë vendimin për të ka qenë kryeministri kroat. “Verdikti është i turpshëm. Është një humbje për Gjykatën e Hagës dhe prokurorinë”, ka thënë pa doreza Tihomir Oreshkoviç.

Për të ardhur keq është se qoftë nga Kosova, por edhe nga Shqipëria nuk ka pasur reagime të shpejta për lirimin e tij. Kosova dhe opinion i saj është marrë më shumë me qeverinë e vet sesa me reagimin ndaj njeriut që prodhoi aq shumë demagogji dhe kërcënime ndaj saj. Në një farë mënyre, kjo ka treguar sesa “tolerantë” por edhe sesa kanë harruar sot liderët e Kosovës ndaj Serbisë. Po ashtu media kosovare më shumë është marrë me Demarkacionin dhe ardhjen apo jo të presidentit Nikoliç në Kosovë sesa me këtë realitet, që është krijuar me pastrimin e Sheshelj nga akuzat.

Dhe, çështja është më e frikshme kur mendon se shumë shpejt Kosova do të përballet me Gjykatën Speciale, që si për ironi të fatit është ngritur po në Hagë dhe emrat e parë që përfliten se do jenë pas hekurave të saj do jenë pikërisht njerëzit kryesorë të luftës së saj, ata që kanë qenë objektiv i Sheshelj. Kjo do të bëjë një lloj rikonceptimi të luftës në ish-Jugosllavi, por edhe mënyrën sesi do ta shohin në të ardhmen luftën e Kosovës historianët dhe brezat. Dhe, jo sepse ndaj serbëve nuk është e drejtë të thuhet se nuk ka pasur krime në Kosovë, Kroaci dhe në Bosnjë, por barazia është e tepërt, qoftë nga struktura, por edhe nga rruga e ndjekur prej republikës agresore të viteve ‘90. Serbia, ndryshe të tjerëve, ka përdorur Armatën Jugosllave kundër Republikave dhe Kosovën dhe ndjekjet e saj kanë qenë të përllogaritura nga strukturat shtetërore, në ndryshim me Kosovën, p.sh. kur reagimi ka qenë për të mbrojtur dhe sjellja e keqe ndaj serbëve nuk ka qenë institucionale sepse Kosova nuk kishte institucione. Në një farë mënyre, Gjykata e Hagës ka barazuar shumë paçka se para saj kanë qenë dhe disa prej ish-udhëheqësve të luftës kundër Serbisë, si gjeneralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj nga Kosova, që janë konsideruar si raste të pafajësisë nga ana e prokurorisë.

Me vendimin e fundit të Hagës, institucioni i ka dhënë mundësinë e keqe Serbisë, një pjesë e drejtuesve të saj kanë lidhje me luftën, që të mos reflektojnë për të shkuarën si duhet, atë që po e mban peng dhe bashkë me të edhe shumë nga problematikat, që janë ende të gjalla mbi hapësirën e ish-Jugosllavisë. Kaq e vërtetë është kjo, saqë vetë Sheshelj, pak ditë më parë, ka nxjerrë kraharorin kur ka theksuar urrejtjen ndaj Evropës dhe se nuk donte t’ia dinte dhe se në gjithë punët e tij ishte krenar sepse kishte pasur bashkëpunëtorë dhe njerëzit kryesorë të politikës serbe në ditët tona!

Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se Gjykata e Hagës është mbyllur me një mision të pakryer, ashtu si puna e komunitetit të huaj në Kosovë që nuk mundi të përcjellë bashkë me Gjykatat kosovare kriminelët pas hekurave. Koha do të tregojë shumë, por ajo që kanë bërë me lirimin e Shesheljit juristët evropianë, tregon se me dashje apo pa dashje kanë mbajtur ende kujtimin dhe pa ndëshkimin e atyre që shkatërruan të ardhmen e brezave të tërë ballkanas dhe prishën rrjedhën normale të jetës. Mu thjesht për këto, njeriu që ka iniciuar dhe frymëzuar paramilitarët meritonte të ishte qoftë edhe simbolikisht në burg…
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: