TIRANE– Ditët e fundit është vënë re një shtim i efektivëve të Gardës që merren me ruajtjen fizike të kreut të opozitës Lulzim Basha. Shtimi i befasishëm i eskortës së kreut të opozitës hodhi dyshime mbi faktin nëse kishim të bënim me një kërcënim ndaj Lulzim Bashës.

Burime nga Garda e Republikës thonë për “Balkanweb” se këto masa janë normale dhe të parashikuara në ligj në nisje të çdo fushate elektorale.

Duke e konsideruar regjistrimin e partive politike në KQZ si hapin e parë të çeljes së fushatës, Garda ka shtuar masat e sigurisë ndaj kryetarit të partisë më të madhe opozitare, pavarësisht se Partia Demokratike nuk është regjistruar në zgjedhje.

Gazetarja Doriana Bezat thotë se, në ligj nuk është parashikuar se sa duhet të jetë numri i gardistëve që i shtohen eskortës, pasi kjo vendoset në varësi të situatës dhe tensioneve të krijuara.

Burimet gjithashtu theksuan për “Balkanweb”se, mbrojtja ndaj kreut të opozitës shtohet edhe në rast tensionesh apo një sinjali, qoftë ky mediatik që prek kreun e opozitës, por në këto raste shtimi i masave është i përkohshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb