Ambasadorja izraelite në Tiranë, Galit Peleg, në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Log.’ në News24 të gazetarit Endri Xhafo, u shpreh se Izraeli nuk do luftë.
“Ne përfundimisht nuk duam të shkaktojmë një luftë rajonale dhe akoma më pak, siç disa njerëz po flasin, një luftë botërore. Kjo nuk është dëshira jonë. Objektivi i qeverisë izraelite është të garantojë siguri për civilët e Izraelit, për qytetarët e Izraelit”, u shpreh ajo.
E pyetur nga drejtuesi i emisionit Endri Xhafo, nëse Izraeli i konsideron muxhahidinët iranianë në kampin e Manzës si një alternativë ndaj pushtetit të ajatollahëve, Peleg tha se nuk po hyj në vendimet e brendshme të Shqipërisë lidhur me muxhahedinët. “Ne nuk kemi lidhje me muxhahedinët. Ata janë në opozitë me regjimin radikal në Iran. Por mendoj se populli iranian meriton diçka më të mirë se sa ajo që kanë tani. Ata do të meritonin një alternativë që t’u lejojë të jetojnë si të dëshirojnë. Shohim njerëz shumë të guximshëm në Iran që po protestojnë pavarësisht se e dinë se cili është fati i atyre që arrestohen”, tha ambasadorja izraelite.
Rikthehemi te objektivat strategjike afatgjata ndaj Iranit, duke marrë parasysh marrëdhëniet e tij me Rusinë dhe Kinën, apo edhe Korenë e Veriut, po të doni. Po lexoja në britaniken “The Telegraph” se Izraeli ndoshta me sulmin ndaj Iranit mund të ketë dëmtuar aftësitë e Iranit për t’i dhënë raketa balistike Rusisë. Pra gjërat janë të ndërlidhura. Ndaj ju pyes për objektivin strategjik kundër Iranit. Ju thatë “ne nuk duam luftë”.
Ambasadorja izraelite – Është e vërtetë që ne nuk duam luftë. Ne nuk duam luftë në rajonin tonë. Ne përfundimisht nuk duam të shkaktojmë një luftë rajonale dhe akoma më pak, siç disa njerëz po flasin, një luftë botërore. Kjo nuk është dëshira jonë. Objektivi i qeverisë izraelite është të garantojë siguri për civilët e Izraelit, për qytetarët e Izraelit. Dhe ne e dimë me siguri… dua të them, nuk shtrohet fare si çështje që Irani është koka e gjarprit në rajonin tonë. Ata po përpiqen prej kohësh të krijojnë paqëndrueshmëri. Regjimi radikal i Iranit po e thotë me zë të lartë se ata duan të eksportojnë revolucionin e tyre. E kanë thënë për shumë vite, për dekada. Dhe një nga mënyrat është mbështetja e organizatave terroriste në rajonin e Izraelit. Po flasim për Hamasin në Gaza. Po flasim për Hezbollahun në Liban. Pamë vitin e fundit mbështetjen e tyre për houthis në Jemen. Pamë papritmas raketa që vinin nga Jemeni në Izrael. Çfarë lloj konflikti ka Izraeli me Jemenin? Sigurisht që nuk kemi. Por ne jemi të sigurt se pas kësaj qëndron Irani. Ata po i furnizojmë me materiale dhe po i inkurajojnë të përfshihen në këtë rajon. Qëllimi ynë nuk është të krijojmë një konflikt tjetër me Iranin dhe as me aleatët e tij. Qëllimi ynë është të krijojmë një situatë sigurie. Nëse për këtë qëllim do të na duhet të sulmojmë aftësitë e Iranit, – dhe kjo është ajo që bëjmë, – nëse prek rajone të tjera të botës, atëherë ka për të qenë e vështirë.
Ju përmendët houthis në Jemen, është ajo që quhet luftë by proxy. Por kam një pyetje për kuriozitet: Çfarë mendon Izraeli për muxhahidinët iranianë në kampin e Manzës në Durrës? A i konsideroni ju ata, siç ata vetë pretendojnë, si një alternativë ndaj pushtetit të ajatollahëve?
Ambasadorja izraelite – Nuk po hyj në vendimet e brendshme të Shqipërisë lidhur me muxhahedinët. Ne nuk kemi lidhje me muxhahedinët. Ata janë në opozitë me regjimin radikal në Iran. Por mendoj se populli iranian meriton diçka më të mirë se sa ajo që kanë tani. Ata do të meritonin një alternativë që t’u lejojë të jetojnë si të dëshirojnë. Shohim njerëz shumë të guximshëm në Iran që po protestojnë pavarësisht se e dinë se cili është fati i atyre që arrestohen. Ne po marrim shumë sinjale nga njerëzit në Iran dhe gjithashtu nga opozita iraniane në mbarë botën në drejtim të Izraelit. Ata nuk kanë pse e mbështesin Izraelin. Por ata duan një të ardhme tjetër për popullin e tyre. Dhe këtë ne e mbështesim! Çfarëdo që të jetë… çfarëdo që ata do të zgjedhin. Mendoj se do të donim të shihnim një Iran demokratik, ku njerëzit e tyre ta shijojnë jetën siç bëjmë ne.
Nuk dua të jem cinik, por nga përgjigjja juaj po mendoj se fakti që keni njerëz që i dërgojnë nga Irani mesazhe Izraelit, kjo jua bën më të lehtë punën për të gjetur njerëz për të punuar për shërbimet tuaja të inteligjencës?
Ambasadorja izraelite – Po flas për mesazhe të hapura, po flas për mediat sociale, po flas për mediat. Ne shohim mesazhe që vijnë nga shumë shumë vullnetarë.
E bëra këtë pyetje sepse historia e Ismail Haniyeh, i cili u eliminua në Teheran, ishte “inside job” nga shërbimet tuaja me njerëz brenda në Iran. Por rikthehemi të çështja. Në kohën e ndërhyrjes së policisë shqiptare brenda kampit në qershor 2023, mediat amerikane raportuan për negociata sekrete mes Amerikës dhe Iranit, që përfunduan në shtator me një shkëmbim të burgosurish, ndërsa Iranit iu dha gjithashtu akses në rreth 6 miliardë dollarë amerikanë, fonde që më parë ishin bllokuar në Korenë e Jugut. A është e mundur të bisedohet me Iranin, siç u bë gjatë negociatave të marrëveshjes bërthamore? Ndërkohë, dua të kujtoj se Shqipëria i ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas sulmit kibernetik.
Ambasadorja izraelite – Mendoj se Kryeministri e bëri shumë të qartë në bisedat e tij si në Kongresin Amerikan, edhe në Kombet e Bashkuara, se pozita jonë ndaj regjimit radikal të Iranit tani është shumë e qartë. Ne nuk shohim negociata me këtë regjimin radikal. Ajo që do të donim të shihnim është që ky regjimi të ndalë agresionin e tij në rajonin tonë. Ky është shqetësimi kryesor i Izraelit. Ne nuk po futemi në vlerësimet e qeverisë amerikane. Ajo që do të donim të shihnim është që ky regjim të ndalet. Së pari, agresioni. Së dyti, zhvillimi i bombave bërthamore. Sepse ky lloj regjimi radikal me kapacitete bërthamore kërcënon jo vetëm Izraelin. Flasim për një kërcënim për të gjithë botën perëndimore. Shumë herë kemi ngritur këtë çështje të kombinimit të kapaciteteve bërthamore me raketat balistike me rreze të gjatë veprimi. Dhe nëse e bëni këtë kombinim, do të shihni se ata nuk po zhvillojnë raketa që të arrijnë Izraelin. Ata po zhvillojnë raketa që të mund të arrijnë Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Pa përmendur Shqipërinë, Brukselin, Londrën, që janë brenda kësaj rrezeje veprimi. Pra, kjo nuk është një çështje izraelite, kjo është një çështje botërore. Dhe regjimi në Iran duhet të frenohet dhe të ndalet.
(BalkanWeb)