TIRANË

I pyetur nga media, lidhur me arsyen e mungesës së një përgjigjeje të drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës Ilir Meta, ndaj pyetjes së deputeti, Adnor Shameti sot në Komision Hetimor se: “A ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve?”, zëdhënësi Tedi Blushi ka sqaruar se pse Kreu i Shtetit shmangu  qëllimisht dhënien e një përgjigjeje, ndërsa tregoi  të gjitha arsyet shpjeguese.

Sipas Blushit, arsyet se pse Meta zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjes së Shametit kishte të bënte me ruajtjen e atmosferës konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar, por edhe për konfiliktin e interesit të vetë deputetëve.

Sqarimi i zëdhënësit, Tedi Blushi:

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.

Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi.

Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.

Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.

Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:

  1. Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit.
  2. Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.
  3. Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.
  4. Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: