Policia franceze antiterror ka marrë përsipër hetimin për një sulm para dy ditësh, kur një punonjës i shtetit vrau katër kolegë policë, brenda stacionit policor në Paris.


Agresori, i njohur në media si si Mickael H, 45 vjeç ishte një inxhinier kompjuterik në degën e inteligjencës në selinë e policisë. Ai kishte punuar për forcat policore të Paris më shumë se 15 vjet. Nën hetim është edhe gruaja e tij, me të cilën autori kishte komunikuar me mesazhe para se të kryente sulmin, shkruajnë mediat e huaja.


Burime policore thanë për Agence-France Presse se hetimet paraprake sugjeruan se ai mund të ishte radikalizuar. Agresori ka punuar në një zyrë policore në kuadër të goditjes të grupeve xhihadiste. Hetuesit antiterror po hetojnë nëse sulmi i tij ishte i paramenduar apo momental.


Në drekën e së enjtes, thellë brenda kompleksit të gjerë të policisë pranë Notre Dame në qendër të Parisit, burri mori një thikë qeramike dhe nisi të qëllojë kolegët, duke kryer vrasjet e shumëfishta vetëm për pak minuta. Së pari, në një zyrë në departamentin e tij, ai vrau tre oficerë policie të inteligjencës. Më pas, në një zyrë tjetër, ai vrau edhe dy oficerë të tjerë si dhe kreu plagosje. Skenën e pa një oficer i ri në moshë, që punonte për disa ditë në atë godinë. Ai i bëri thirrje agresorit të ulte thikën dhe kur nuk dëgjoi, oficeri e qëlloi për vdekje në kokë.

Nu ka pasur dëshmitarë në vendngjarje, kur ai kreu sulmin e parë dhe vrau menjëherë 3 policë, ndaj nuk është e qartë se cilat kanë qenë fjalët e tij fillestare. Fillimisht vrasjet ishin raportuar si vetëvrasje, kurse me kalimin e kohës u zbulua se ata ishin bërë nga nëj dorë kriminale brenda godinës policore.

Agresori, i cili ishte francez dhe kishte lindur në ishullin Martinique, ishte konvertuar në Islam para 18 muajsh, por se asnjëherë nuk kishte qenë në ndonjë listë të personave që shfaqin rrezik prej radikalizmit. Zëdhënësi i qeverisë, Sibeth Ndiaye, deklaroi se mundësia e një sulmi me motive të radikalizmit islam nuk përjashtohet. Ai tha se faktet duhet të shikohen me kujdes, pasi autori thjesht dihet se ishte kthyer në islam, por nuk ka prova për radikalizim apo ndonjë kontakt me persona të inkriminuar e radikalizuar.

Ministri i brendshëm, Christophe Castaner, tha se agresori nuk kishte treguar kurrë “probleme sjelljeje” dhe kurrë nuk ngjalli “arsyen më të vogël të alarmit”.  Nuk kishte asnjë shenjë nga ai të ndonjë personaliteti të dyshimtë, para vrasjeve. Shefi i policisë së Parisit, Didier Lallement, tha të premten se kjo dramë nuk do të harrohet kollaj. E veja e sulmuesit u tha hetuesve se burri i saj, i cili kishte një aftësi të kufizuar të dëgjimit, shfaqte “sjellje të pazakontë dhe të shqetësuar” natën para krimit. Ajo u mor në pyetje të gjithë ditën të premten.

Sulmi erdhi një ditë pasi mijëra oficerë marshuan në Paris për të protestuar kundër pagave të ulëta, orëve të gjata dhe një rritje të nivelit të vetëvrasjeve në radhët e tyre.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb