“Sali ti e kapërcen dot oqeanin me dasht? Hajde përgjigju, ti me dash e kapërcen dot oqeanin Sali?“. Kjo pyetje retorike e Edi Rames dje në Kuvend, la të kuptohej se ish-kryeministrit Berisha mund t’i jetë ndaluar shkelja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Dyshimet u shtuan pasi vetë Berisha nuk e mohoi këtë menjëherë, por dha nje përgjigje evazive duke thënë “nuk bëj vizita zyrtare që kur lashë detyrën”. Por, menjëherë pasi doli nga seanca në komunikim me gazetarët dhe më pas në mbrëmje, në një lidhje telefonike me “Opinionin” e Fevziut, Berisha mbajti qëndrim më të qartë.

“Që nga dita kur kam lënë detyrën time, nuk kam bërë asnjë kërkesë për të shkuar në asnjë vend të globit. Nuk më është refuzuar asnjë vizë“, tha ai.


Pavarësisht mohimit të Berishës, misteri mbetet duke qenë se lajmi u dha publikisht nga dikush, të cilit informacioni nuk i mungon: kryeministri i vendit.


Për të mësuar të vërtetën, “Gazeta Shqiptare” iu drejtua ambasadës amerikane në Tiranë duke marrë përgjigjen standarde: “Nuk diskutojmë raste specifike vizash”.

Pas kësaj, “GSH” i dërgoi një kërkesë për informacion Departamentit të Shtetit. Në përgjigjen drejtuar kryeredaktorit Erl Murati, zyra e çështjeve publike në DASH u përgjigj:
“Rastet e refuzimit të vizës që lidhen me çështje të korrupsionit të cilat Departamenti i Shtetit ka zgjedhur t’i publikoje, ndodhen këtu: https://www.state.gov/j/inl/rls/prsrl/2018/index.htm

Siç mund ta shihni, Sali Berisha nuk është në këtë listë.

Përtej këtyre pak publikimeve, (në listë ndodhen Adriatik Llalla, Tom Doshi dhe familjet përkatëse) në përgjithësi Shtetet e Bashkuara nuk komentojnë çështje individuale të vizave”, shkruhet në përgjigjen e Scott Lueders, specialist i çështjeve publike në Byrone e çështjeve ligjore dhe trafikut të narkotikeve në DASH.

Pergjigjja Per Erlin
Pergjigjja Per Erlin

Gjithçka mbetet e paqartë. /Burimi: Gazeta Shqiptare/