TIRANE-Shpenzimet e shqiptarëve në një vit kalendarik për argëtim, çlodhje dhe për veprimtari artistike, brenda vendit arrijnë mbi 16,7 miliardë lekë (122 milionë euro), apo rreth 1.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT, në strukturën e prodhimit të brendshëm bruto për vitin 2015. Po të marrin në konsideratë edhe harxhimet që shqiptarët bëjnë jashtë vendit për argëtim dhe çlodhje këto shpenzime janë shumë më të larta.

Siç shihet nga të dhënat shqiptarët i kushtojnë vëmendje argëtimit teksa konstatohet se shumat që shpenzojnë për çlodhje janë vetëm 2.5 herë më të ulta se ato për kujdesin shëndetësor dhe 3.8 herë më të ulta se shpenzimet për arsim që konsiderohet edhe baza e investimit të qëndrueshëm dhe me perspektive për një familje.

Mirëpo te krahasuara me 2014 këto shpenzime pësuan ulje me 1.5 % me 2015. Shpenzimet për çështje të argëtimit kanë një lidhje të drejtë me krizën ekonomike. Po të shohim ecurinë e tyre ndër vite vihet re se ato kanë ndjekur ciklin e ekonomisë.

Pjesën më të madhe të tortës së shpenzimeve për argëtim duket se i marrin baret dhe restorantet dhe më pak aktivitetet sportive dhe veprimtaritë e artit.

Nga ana tjetër fondet publike dedikuar argëtimit janë rritur vitet e fundit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit shpenzimet qeveritare për argëtim ishin 33 për qind më të larta se në të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Teksa shihet se shpenzime të tjera publike për shërbime jetike të tilla si strehimi kanë rënë.

Shpenzimet publike për arsimin pothuajse vijojnë në të njëjtat kuota të një viti më parë dhe ato për shëndetësinë janë rritur me 6.7%. Gjithashtu shpenzimet për mbrojtën sociale janë në vend numëro.

Teksa filozofia e qeverisë për shtrëngimin fiskal po aplikohet për sektorët sektorët jetikë të vendit, shpenzimet për funksionet e argëtimit dhe kulturës edhe pse simbolike kanë pësuar rritje të ndjeshme në dy vitet e fundit./Monitor.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb