Zarfe të mbushura me para, të dërguara pa ndonjë arsye të dukshme në kutinë postare apo poshtë derës?

Kjo është ajo që u ka ndodhur rreth 15 banorëve të qytezës së Villarramiel, në veriperëndim të Spanjës.

”Prej një jave, ky donator sa bujar aq edhe i panjohur, i cili shpërndan zarfe që përmbajnë 50, 70 deri në 100 euro ka ngjallur diskutimet në këtë qytezë të vogël me 800 banorë”, shprehet për median kryebashkiakja Nuria Simon.

”Jemi të gjithë të habitur dhe në pritje, pasi nuk e dimë ende se nga vijnë këto para as se kush është dhuruesi i tyre”, shton ajo.

Disa banorë thjesht morën paratë në një zarf ngjyrë kafe. Disa të tjerëve iu është bërë dhurata në formë më të personalizuar me emrin dhe adresën e tyre shoqëruar me fraza si ‘’princesha e shtëpisë’’ e zbukuruar edhe me një zemër.

Disa, si më mosbesues i janë drejtuar bankave ose komisariatit të policisë për të verifikuar nëse kartëmonedhat ishin të vërteta, apo false.

Garda Civile nuk ka hapur hetim për të zbardhur misterin, pasi nuk është kryer asnjë vepër penale.(Atsh)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb