TIRANË- Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Presidenti i Malit të Zi Filip Vujanović kanë folur për çështjen e demarkacionit me Kosovën por edhe nëse ka çështje të hapura për kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Pas takimit të zhvilluar kokë më kokë, Meta Vujanović kanë dalë në konferencë para mediave ku kanë folur për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lidhur me çështjen e kufirit, Vujanovic tha: “Nuk besoj se kemi çështje të hapura për kufirin me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona në të gjitha pozicionet kufitare janë të qarta. Kemi nevojë t’i avancojmë me qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Për sa i përket ratifikimit me Kosovën e kemi përcaktuar qëndrimin tonë. Për ne është e mbyllur. Kjo është një çështje e brendshme e Kosovës. Ne duam që problemet në Kosovë të zgjidhen sa më parë dhe sa më mirë”.

Ndërsa Presidenti Meta deklaroi që midis Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk ekziston ndonjë problem substancial.

“Marrëdhëniet midis dy vendeve të shkëlqyera dhe e kanë të qartë rrugën që duhet të ndjekin për të formalizuar çdo çështje që është në interesin e përbashkët. Lidhur me demarkacionin, sikurse jemi shprehur edhe më parë dëshirojmë të shohim një vullnet të plotë e të mjaftueshëm në Kosovë, midis gjithë faktorëve për të ecur përpara me këtë çështje sepse edhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të konsiderohen të shkëlqyera. Mali i Zi ka qenë ndër të parët që e ka njohur Kosovën dhe nuk ka qenë shumë komode. Është në interes të dy vendeve por në mënyrë të veçantë për Kosovën e cila për fat të keq këtë çështje e ka të lidhur me liberalizimin e vizave”, tha Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb