Ish-presidenti i SHBA Donald Trump nuk pranoi të thoshte nëse ai kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin që nga largimi nga detyra, siç raportohet në një libër të gazetarit Bob Woodward, por tha se do të ishte një “gjë e zgjuar” për Shtetet e Bashkuara nëse ai do të kishte folur, sipas Associated Press.

Trump u pyet mbi komunikimet e supozuara me presidentin rus gjatë një interviste me kryeredaktorin e Bloomberg, John Micklethwaite në Klubin Ekonomik të Çikagos.

Woodward shkroi në librin e tij “Lufta” se Trump kishte zhvilluar shtatë biseda telefonike private me Putinin që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe se ai i dërgoi fshehurazi presidentit rus teste për Covid 19 në kulmin e pandemisë.

Siç raporton Zëri i Amerikës, Micklethwaite i bëri një pyetje Trump gjatë intervistës: “A mund të thuash po apo jo nëse ke folur me Putinin që kur nuk ke qenë president”.

“Unë nuk e komentoj këtë, por do t’ju them se nëse e bëja, ishte një gjë e zgjuar. Nëse jam miqësor me njerëzit, nëse mund të kem një marrëdhënie me njerëzit, kjo është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe nga këndvështrimi i vendit”, u përgjigj Trump.

Trump tha se Putini, i cili pushtoi Ukrainën dhe është paditur për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, është i respektuar në Rusi dhe vlerësoi marrëdhëniet e tij me të, si dhe me liderët autoritarë të Koresë së Veriut dhe Kinës.

“E shihni, kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Xi, një marrëdhënie shumë të mirë me Putinin dhe një marrëdhënie shumë të mirë me Kim Jong Un”, tha ai.

Kur bëhet fjalë për Putinin, ai vuri në dukje se “Rusia nuk ka pasur kurrë një president të cilin ata e respektojnë kaq shumë”.

Woodward shkroi se në fillim të këtij viti, Trump i kërkoi ndihmësit të tij të largohej nga zyra e tij në një vendpushim në Florida, në mënyrë që të kishte një bisedë private me Putinin. Ndihmësi, të cilin Woodward nuk e përmend, tha se ka pasur biseda të shumta midis Trump dhe Putin që kur Trump u largua nga detyra, ndoshta deri në shtatë.

Zëdhënësi i Trump, Stephen Chung i quajti akuzat të rreme dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se pretendimet për thirrjet nuk ishin “të vërteta”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb