Klodiana Lala e ftuar në “A Show” në News 24 i është përgjigjur edhe një pyetjeje me spec të gazetarit Krasta, nëse përgjimet e publikuara prej saj kanë trembur kryeministrin e vendit Edi Rama. Sipas Krastës, ai nuk është marrë kurrë me Lalën, duke e etiketuar si shumë gazetarë të tjerë të njohur si “kadri” apo “kazan”.

Adi Krasta: Kryeministri e quajti edhe “Zërin e Amerikës”, i cili bën informacion duke u bazuar tek kazani i ashtuquajtur shqiptar, ndërkohë në lista të ndryshme që çon nëpër TV të ndryshme për të emërtuar gazetarët si “kadri” apo “kazan” kam vënë re që ai kurrë nuk të është drejtuar ty me një epitet të tillë. Ti thjesht nuk i del përpara apo ai ka frikë të merret me ty?

Klodiana Lala: Nuk di ta them, nuk marr përsipër të gjykoj deklarimet e kryeministrit, di të them që në fakt kam pritur që në rastin konkret ai duhet të reflektojë për zyrtarë që ka pasur rreth vetës, zyrtarë të kapur mat duke diskutuar me eksponentë të krimit të organizuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për zyrtarë lokalë por edhe për zyrtarë të nivelit qendror. Para se të etiketojë gazetarët me termin si kazan duhet të reflektojë dhe të shohë mirë atë habitatin e vetë për njerëzit që ka zgjedhur të qeverisë. Do shqetësohesha vetëm nëse shkrimi im ishte i pasaktë. Unë nuk kam pasur asnjë përballje, kam sjellë një të vërtetë të madhe, të vërtetat vrasin Adi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb