Ashtu si kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta, edhe kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur pyetjes nëse ka apo jo frikë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila pritet të nisë në vjeshtë ndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, deri në nivelet më të larta politike.

I pyetur nga gazetarët nëse i trembet SPAK-ut, Basha ka deklaruar se mungesa e kësaj strukture është një nga veprat më tinëzare të Edi Ramës.

“Mungesa e SPAK-ut është një nga veprat më të mëdha tinëzare të Edi Ramës. Partia Demokratike ka votuar ligjin për SPAK –un dhe BKH-në, pikërisht sepse amendamentet tona u morën parasysh, ndërkohë që në 6 ligje të tjera ato nuk u morën parasysh dhe kanë çuar në kapjen totale të drejtësisë.

Ndaj e kam thënë dhe e përsëris, kur them se kjo krizë do të mbarojë me standarde, norma dhe parime europiane, e kam thënë dhe e përsëris, do të mbarojë me politikanë me pranga në duar.

Në qoftë se mbaron me pandëshkueshmëri do ti hapë rrugën një krize tjetër. ata që kanë vjedhur votat e shqiptarëve, ata që kanë vënë dorë mbi pasuritë e shqiptarëve do të shkojnë të gjithë para drejtësisë, nga i pari tek i fundit, pa përjashtim”, ka thënë Basha.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: