SHBA- Duke nisur nga data 25 qershor deri në 29 qershor në Uashington mbahet Konferenca Botërore për Gazin, një nga organizimet më të rëndësishme të industrisë globale të gazit. Në këtë konferencë, e cila zhvillohet çdo tre vjet ishte i pranishëm dhe ministri shqiptar për Infrastrukturën dhe Energjinë, Damian Gjiknuri.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Gjiknuri ka komentuar vendimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE për Shqipërinë. I pyetur se çfarë garancish ka Shqipëria, që negociatat me BE hapen në 2019, nisur nga kushtet që ka vendosur BE, ministri Gjiknuri tha se një gjë e tillë nuk mund të ketë.

Sipas tij, do të jenë edhe zhvillimet brenda BE ato që do ndikojnë.

Ndërkaq, ministri Gjiknuri ka folur edhe lidhur me zhvillime të tjera në Shqipëri që kanë të bëjnëkryesisht me sektorët që mbulon Ministria që ai drejton.

Çfarë pret Shqipëria nga konferenca të kësaj natyre?
Shqipëria ftohet në këtë konferencë për herë të parë, pasi vendi ynë ka hyrë tashmë fushën e gazit. Ata donin të bënin me dije edhe rolin që kanë patur autoritetet shqiptare në bërjen të mundur të Korridorit të Jugut, si rrugë alternative e furnizimit me gaz për Europën, dhe shumë e rëndësishme për SHBA. Donin të vinin në pah rolin shumë pozitiv, sepse Shqipëria u bë vendi më shembullor për realizimin e këtij projekti. Roli i Shqipërisë u pa me interes. Ishte një vlerësim për vendin tonë. ne jemi duke zhvilluar një program shumë intensiv me departamentin e Energjisë në SHBA, për të suportuar të gjithë sektorin hidro-karbur në Shqipëri, për të mundësuar asistencë për këtë fushë.

Si e shihni vendimin e djeshëm të Brukselit për negociatat?
Ky është një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria. Suksesi i reformave të ndërmarra nga Qeveria shqiptare u certifikuan nga Komisioni Europian i cili rekomandoi hapjen e negociatave. Por në e dimë që brenda Bashkimit Europian ka dinamike të ndryshme politike. Ka vende që janë kundër zgjerimin në parim. Nisur nga kjo dinamikë, ajo që u arrit dje është një sukses, pasi politikat e brendshme të disa shteteve mund edhe ta vinin në pikëpyetje procesi e zgjerimit.

Europa ju vendosi disa kushte…
Komisioni Europian që në fillim ka vlerësuar këto reforma, dhe ka kërkuar që edhe Shqipëria edhe Maqedonia të vijojnë në rrugën e reformave. Ne e dimë se çfarë debati po zhvillohet brenda Europës, dhe ky nuk është një moment i mirë. Disa vende janë kundër zgjerimit në parim.

Çfarë garancish ka që hapen në 2019 negociatat me BE, nisur nga kushtet që ka vendosur BE?
Unë nuk mund të jap garanci se çfarë mund të ndodhë me shtetet europiane, por ashtu siç tha edhe përfaqësuesja e BE në Shqipëri në deklaratën e saj, se kemi një dritë jeshile, kemi një datë të përcaktuar, ndërsa sa i takon procesit të reformave të nisura do të jetë më e qartë për të vijuar përpara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: