Argita Malltezi, vajza e kreut të PD-së dhe ish-Kryeministrit Sali Berisha, tha në emisionin “Open” në News24 tha se babai i saj ka defekte si çdo njeri dhe ka bërë gabime gjatë kohës që ishte në pushtet.

Malltezi tha se edhe vetë Berisha e ka pranuar se ka bërë gabime dhe ka kërkuar ndjesë, duke njohur gabime.

“Sigurisht që ka përgjegjësi për gabimet që ka bërë”, tha Malltezi.

Analisti Fatos Lubonja e pyeti Malltezin lidhur me ngritjen e sistemit oligarkik të ngritur në qeverisjen Berisha dhe më pas e trashëgoi Edi Rama.

“Drejtësia ka pasur 1 mijë të meta, ka pasur të korruptuar sa të duash, por respektoheshin afatet normale të gjykimit.

Sot për të marrë pafajësi duhen 10 vjet gjykim penal”, tha Malltezi.

Në vijim, Lubonja i përmendi si shembull një fragment nga dosja, ku përmendej Liri Berisha si drejtuese e një fondacioni në ndihmë të fëmijëve autikë, ku në një event u paraqitën nja 90 vetë që blinin piktura me ato çmime që thuhen.

“Unë mendoj se ata erdhën atje jo për piktura, por për të blerë influencë, sepse atje ishte nëna juaj, bashkëshortja e ish-Kryeministrit. Ky është sistemi klienteral. tani nga 90 vetë, 87 vetë nuk përmenden dhe me shumë gjasa ata sot janë në krah të Edi Ramës. Dhe për këtë sistem ka përgjegjësi edhe Sali Berisha. Ky sistem vazhdon dhe ky sistem kishte prirjen për të degjeneruar dhe ndaj na u futën paratë e drogës në sistemin politik dhe ekonomik”, tha Lubonja.

Në përgjigje të analistit Lubonja, Malltezi tha se fondacioni e kishte gjetur këtë praktikë dhe e ka vijuar. “Çmimet caktoheshin nga artistët, bëhej ankandi, artistët merrnin shumën që kishin vendosur, pjesa tjetër shkonte në favor të Fondacionit, para që janë investuar në mbështetje të fëmijëve autikë, për trajtimin e tyre dhe për një sistem trajnimi për terapistët”, tha Malltezi.

Lidhur me blerjen e influencës, Malltezi tha se veprimi i dhurimit nuk është i dënueshëm. “A ka ndodhur që këta të favorizohen nga Qeveria Berisha? Jo nuk janë favorizuar”, tha Malltezi.

Në vijim Lubonja u shpreh “ne nuk i dimë emrat, më thuaj emrat që unë të them janë apo jo favorizuar nga Qeveria Berisha”.

Malltezi ka këmbëngulur që asnjë nga ata që quhen oligarkë nuk është favorizuar. “A ka ndonjë ligj të fshehtë në kohën e Qeverisë Berisha? Jo nuk kemi. Përsa i përket naftës? E keni për Taçin? Çdo konçension, në rastet strategjike, ka  pasur tender ndërkombëtar”, tha Malltezi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb