Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar pas debatit të krijuar dhe zhurmës nga deklaratat e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, i cili tha se BE do të marrë masa, po u shtuan hyrjet legale për azil. Kjo deklaratë zgjoi tek qytetarët por edhe liderët kryesorë në vend frikën për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët. POr çfarë thotë delegacioni i BE?


Në një prononcim për gazetarin Ergys Gjençaj, Delegacioni i Bashkimit Evropian shprehet se komisioneri nuk flet për një vend në veçanti dhe se sa i përket Shqipërisë ai theksoi punën e vazhdueshme të autoriteteve shqiptare, duke përmendur në mënyrë specifike kontributin e saj për uljen e numrit të kërkesave për azil.


“Në kundërshtim me atë çka është raportuar, Komisioneri nuk ka komentuar mbi situatën në ndonjë vend në veçanti, as nuk ka thënë se do të ndërmerret ndonjë veprim kundër ndonjë vendi të caktuar në të ardhmen.
Në rastin e Shqipërisë, Komisioneri theksoi punën e vazhdueshme të autoriteteve shqiptare, duke përmendur në mënyrë specifike kontributin e saj për uljen e numrit të kërkesave për azil.
Ndërsa Komisioneri e bëri shumë të qartë se ka detyrime për t’u përmbushur dhe rregulla për t’u ndjekur për të gjitha vendet pa viza në mbarë botën – ai gjithashtu bëri shumë qartë se Komisioni do të bëjë çmos për të shmangur çdo pasojë negative për çdo vend pa viza dhe se në rastin e Shqipërisë ai ka qenë në kontakt të ngushtë me autoritetet për këtë çështje, edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri, më 21 maj, për bërjen operative të marrëveshjes status midis Shqipërisë dhe Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, ku Komisioneri u përgjigj gjithashtu për këtë çështje zyrtarisht.”, deklaron delegacioni i BE.


Dimitris Avramopulos deklaroi sot se po të vazhdojë kjo tendencë migrimi nga shtete si Venezuela, Kolumbia ose Shqipëria, BE do të ndërmarrë hapa. Ai u bëri thirrje shteteve të prekura që të respektojnë rregullat për të cilat është rënë dakord.

(m.k/BalkanWeb)