Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24 është trajtuar çështja e turistëve në Shqipëri.
Lekë Marku, operator turistik në Velipojë, tha se çdo turist që viziton Shkodrën ndjehet shumë i kompletuar nga bukuritë. Ai tha se operatorët turistikë kanë fituar një eksperiencë dhe kanë përmirësuar shërbimet. Marku tha se kemi një trend të lartë, veçanërisht në 10 ditëshin e fundit të qershorit. “Kemi një kulmim në ditët e fund, veçanërisht nga shqiptarët e Kosovës, që i japin një oksigjen Velipojës me ardhjen e tyre. Ata ndjehen si në shtëpinë e tyre”, tha Marku.
Ndërkohë Renaldo Xhanej nga Drejtoria e Turizmit në Bashkinë e Lezhës tha se tendenca e turizmit është shumë e mirë në këtë sezon. “Kemi evidentuar që shezlongjet janë të mbushura me turistë, nuk shikojmë ato situata që shfaqen në rrjetet sociale përmes videove të ndryshme. Si operatorët ashtu edhe turistët po realizojnë një sezon të kënaqshëm”, tha Xhanej.
Ai tha se në Shëngjin kemi një rritje të numrit të turistëve polakë dhe italianë, që po përqëndrohen në plazhet e Shëngjinit. “Polakët janë më të organizuar, vijnë përmes agjensive turistike, ndërsa italianët duket se kanë zgjedhur Shëngjinin për shkak të çmimeve. Një çadër dhe shezlongje në Shëngjin kushton nga 5 deri në 10 mijë lekë. Po kështu nuk kemi rritje të çmimeve në kulinari, çka e bën kështu Shëngjinin një zonë që të frekuentohet nga turistët e huaj, përveç atyre nga Kosova”, tha Xhanej.
Lekë Marku duket folur për Velipojën tha se në këtë zonë janë ruajtur balancat dhe ekujlibrat lidhur me çmimet qoftë në kulinari, ashtu edhe përsa i takon hoteleve, çadrave dhe shezlongjeve.
“Kemi çmime më të lira se në Shëngjin. Shumë biznese në Velipojë nuk kanë pasur tendencë për rritjen e çmimeve. Çmimet e hotelerisë variojnë nga 30-50 euro, këtu kam parasysh turistët elitarë që duan një shërbim të kualifikuar”, tha ai.
Marku tha se duhet të ketë një ndërhyrje në infrastrukturë, veçanërisht në rrugën e Velipojës. “Nëse do të kemi një ndërhyrje dhe një përmirësim, kjo zonë do të marrë edhe më shumë zhvillim”, tha Marku.