Mjeku i ish-diktatorit Enver Hoxha, Isuf Kalo, i cili vjen me një libër ku tregon disa të pathëna të ‘Bllokut’ gjatë kohës së komunizmit, deklaron se nuk ka pasur frikë gjatë kohës së atij regjimi. I ftuar përballë Sokol Ballës në “Real Story” në “News24” Kalo pohoi se nuk kishte frikë në asnjë çast për ‘Bllokun’, por i druhej vetëm faktit se mund të cilësohej si mendjemadh apo me mendime jo të përshtatshme për kohën. Mes të tjerash ai tha se kishte përgjegjësi për familjen e tij, ndërsa shton se hakmarrja ishte e tmerrshme.


“Frikë në Bllok jo, por drojë se mos thoja ndonjë fjalë dhe mos nuk e kisha kuptuar mirë një fjalë. Droje se mund të më cilësonin si mendjemadh, ose me mendime jo të përshtatshme me kohën. Skam pasur frikë. Kam pasur përgjegjësi jo vetëm për veten, por edhe për familjen. Ti nuk duhet të gaboje dhe hakmarrja ishte e tmerrshme. Kishte një hierarki, të shpallur dhe të pashpallur. Si fillim ishte Enveri, pastaj Mehmeti, pastaj Kadriu, e në radhë të 7 Ramiz Alia. Në të gjitha variantet Alia ishte i 6 apo i 7. Ramiz Alia ishte përgjegjës për ideologjinë dhe propagandën. Nëse ka një gjë qe e mallkojmë atë regjim, është ideologjia e komunizmit. Paketa që ishte e mbrapsht, u eksperimentua, ishte ideologjik. Ramiz Alia edhe kur u bë komandat, fliste si komisar. Ai nuk vepronte, nuk merrte vendime pasi ishte i lëndukur. Ai ishte mësuar të zbatonte dhe nuk vepronte dot. Ai ka lënë një vend në histori. Banorët e Bllokut, përfshi Ramizin dhe Nexhmien, ishin njerëz të zakonshëm. Iluzioni i jashtëm, mendoja se ishin të jashtëzakonshëm. Në kontekstin e marrëdhënieve, s’kam asnjë borxh ndaj familjes Hoxha. Unë u kam shërbyer, ata më kanë borxh, kam marrë mirënjohjen dhe respektin reciprok”, tha Kalo.


Po ashtu Kalo tha se Nexhmie Hoxha nuk e ka penguar Ramiz Alinë në drejtimin e shtetit. Po ashtu ai tha se ruan një ndjenjë mirënjohje për gruan e ish-diktatorit pasi ajo ishte shumë e gatshme për t’ju ofruar ndihmë mjekëve gjatë kohës që Enver Hoxha ishte sëmurë.


“Nexhmija Hoxha nuk ka komanduar Shqipërinë, nuk ka komanduar as Enverin, sepse nuk e bënte dot. Ajo nuk e ka penguar Ramizin asnjëherë. Dyshoj se u krijua një mllef ndaj Nexhmies, ku ajo ishte djalli dhe Ramizi engjëlli. Nexhmia nuk e ka penguar Ramiz Alinë në ato që donte të bënte ai. S’njoh ndonjë gjë ilegale që ka bërë Nexhmia për këtë gjë. Unë ruaj vetëm mirënjohje ndaj saj në ndihëm që na ka dhënë kur mjekonim Enverin. Ajo ishte e devotshme ndaj bashkëshortit, ndaj i jam mirënjohës”, tha Kalo.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: