Kuvendi i Shqipërisë i është drejtuar Komisionit të Venecias me një kërkesë për një opinion në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe urdhërimeve taksative të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Letra drejtuar Komisionit të Venecias vjen një ditë pas seancës parlamentare, ku Kuvendi në shumicë dërrmuese abstenoi për të përcjellë në Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, e cila për të tretën herë rradhazi, përmes procedurave parlamentare, i shpëton një gjykimi në Gjykatën Kushtetuese, lidhur me atë që pretendohet nga opozita se është në konflikt të pastër interesi, pasi bashkëshorti i saj fitoi statusin e investitorit strategjik.
Ne letrën e Kuvendit drejtuar Venecias bëhet një rezyme të asaj që çfarë ka ndodhur, çfarë parashikon Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, mënyra si funksionon Gjykata Kushtetuese.
Në letër, Komisioni i Venecias pyetet nëse bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputeti? Cili është mekanizmi, nëse ka, për të detyruar deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar (pro, kundër, abstenim)?
Gjithashtu Venecia pyetet se cilat janë standardet për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili është roli i organit respektiv legjislativ në konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit?
“Mbi bazë të cilave standarde do të duhet të interpretohet raporti mes mandatit përfaqësues, jo detyrues që deputetët gëzojnë dhe rolit tyre si anëtarë të Kuvendit në rastin e shqyrtimit të mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?
Cili është roli i organit legjislativ lidhur me konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit në shtete të tjera dhe a ka një kontroll gjyqësor ndaj vendimmarrjes së tyre? Nëse po, në ç’raporte është kompetenca që organi legjislativ ka në këtë procedurë krahasuar me kompetencën e gjykatës përkatëse? Cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit? Cili është subjekti që legjitimohet që ta dërgojë çështjen në gjykatën e caktuar?”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjithashtu Venecia pyetet nëse a mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë normë të re kushtetuese, e cila nuk ka lidhje me kompetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi? A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një kategori të re subjektesh aplikuese të ndryshme nga ato taksativisht të listuara nga Kushtetuta?
“Duke qenë se çështjet për të cilat kërkojmë opinionin e Komisionit të Venecias kanë rëndësi për ekuilibrat në demokraci dhe zgjidhjen e tensionit të krijuar nga situata të pasigurisë juridike në vendin tonë, për të cilat Kuvendi do të duhet të marrë masat e përshtatshme sa më parë që të jetë e mundur, ne do ta vlerësonim së tepërmi opinionin Tuaj në një kohë sa më të shkurtër”, mbyllet letra.
(BalkanWeb)