Analisti dhe pedagogu i shkencave politike, Ermal Hasimja, në emisionin “Open” në News24 duke debatuar lidhur me arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta dhe sa mund të ndikojë SPAK në zgjedhjet e 2025, tha se për herë të parë po goditen politikanë.
“Ka një dallim të madh dhe thelbësor që nga rradhët e opozitës kemi 3 drejtues të opozitës, Fatmir Mediun, Ilir Metën dhe Sali Berishën, që janë të bllokuar ose nën hetim. Në anën tjetër nuk e shohim këtë gjë.
Por nuk mund të shikojmë situatën ‘bardh e zi’. Prirja normale e një sistemi është që të marrë apo zgjerojë hapësirën e vet. SPAK si sistem, edhe i sponsorizuar nga ndërkombëtarët, mund të ketë interesin e tij që të jetë sa më i pavarur.
Por në anën tjetër kemi faktin se SPAK është bërë i besdisshëm për politikën shqiptare, po besdis opozitën dhe Partinë Socialiste. Brenda në PS ka krijuar stres dhe ankth”, tha Hasimja.
Ai u shpreh se drejtësia nuk mund të përcaktojë fatin e zgjedhjeve edhe për shkak të mënyrës se si mblidhen votat këtu.
“Sistemi i drejtësisë nuk është aty për të pasur merakun se kush po votohet apo kush po cënohet. Skenari që mua më përshtatet më mirë është ai që kemi një institucion që po përpiqet t’i rrisë vetes fuqinë e tij”, tha Hasimja.