Robert Papa në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, tha se ende Donald Trump nuk ka zyrtarizuar Marco Rubio në postin e Sekretarit të Shtetit.

Papa tha se gjithsesi Rubio është një kandidat i fortë, referuar faktit se latinët mbështetën fuqishëm kandidaturën e presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

“Janë 1 mijë poste të larta që caktohen me firmën e Trump, kjo është një kompetencë që ia jep Kushtetuta amerikane”, tha Papa.

Sipas tij, kandidaturën e Grenell mund ta dëmtojë lidhja e tij me biznesin. “Ai mund të emërohet në një pozicion në Shtëpinë e Bardhë, mund të jetë një i dërguar special, ose një ambasador”, tha Papa.

Duke folur për Marco Rubio, Papa tha se do të ishte në nderin e Trump, që të kishte në pozicionin e Sekretarit të Shtetit senatorin e Floridës.

“Do të jetë një kandidaturë shumë e mirë edhe për shqiptarët”, tha Papa.

Sipas tij, Trump po shpërblen të gjithë njerëzit që e kanë mbështetur.

Ai tha se njerëzit që duan të përfshihen në administratën Trump kalojnë në një proces intervistash të shumta. “Trump ka një gjë që i turpëron të gjithë armiqtë e tij, i gjunjëzon ato. Unë do të doja që edhe Giulani duhet të marrë një pozicion”, tha Papa.

Ai u shpreh se gjithashtu prokurori Jack Smith do të japë dorëheqjen, duke mos i dhënë kënaqësinë Presidentit të zgjedhur që ta shkarkojë në 20 sekondat e para të hyrjes në zyrën presidenciale.

“Deep State përbën 3 mln njerëz, me një rrogë mesatare 105 mijë dollarë në vit, që janë njerëz të pavotuar që duket se do të kemi një ristrukturim të Departamenteve. Janë me qindra agjenci federale, janë gjetur miliarda dollarë të paguara kot, p.sh janë gjetur 100 mln dollarë investime për një fushë futbolli në Afganistan”, tha Papa.

Ai u shpreh se Departamenti i Shtetit ka 25 mijë punonjës, ndërsa Trump me firmën e tij mund të emërojë 400.

Përsa i takon deklaratave të ish-Kryeministrit Sali Berisha se administrata e re amerikane mund t’i heqë “non grata”, Papa tha se “mund t’ia heqin, e kanë kompetencën, por nuk e di se çfarë do të ndodhë”.  Sipas tij, “non grata” ndaj Berishës ishte një vendim politik, që nuk ka nisur në kohën e administratës së parë të Donald Trump.

Lidhur me Joe Biden, Papa tha se ai ka probleme mendore, por po sillet një zotëri i vërtetë. “Ai e ka ftuar Trump në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Trump nuk ishte në inaugurimin e tij 4 vjet më parë”, tha Papa.

Ai u shpreh se ende nuk dihet se kush do të jetë Prokurori i Përgjithshëm, për të cilin do të synohet një njeri besnik, sikundër se kush do të jetë kreu i FBI-së.

Papa tha se ajo që duhet të dihet është fakti se Senati ka një forcë të madhe, pavarësisht se e kontrollon Partia Republikane, shumë senatorë mund të mos bashkohen me zgjedhjet e Trump.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb