Në vitet e socializmit, Shqipëria u bë strehë e shumë organizatave dhe individëve subversivë që luftonin kundër “Imperializmit dhe shërbëtorëve të saj”, siç shprehej propaganda e kohës në inkurajimin mediatik të tyre. Asokohe kishte fare pak njerëz që e dinin mirë se çfarë bëhej me këto grupime në kampet e stërvitjes me përgatitësit ushtarakë shqiptarë. Shumë vite më vonë, njëri prej instruktorëve të tyre, do t’i konfesonte autorit se një pjesë jo e vogël e njerëzve që stërviteshin prej tij u vranë vetëm pak javë pasi kishin lënë vendin tonë. Pa u futur në hollësira për grupet palestineze, afrikane dhe kushedi se çfarë tjetër: ndryshimi i sistemit, por edhe “vetëmohimi” i Shqipërisë për t’i mbështetur subversivët, paçka idealëve që ata shprehnin, nuk është se solli ndonjë gjë ndryshe. Paradoksalisht, sot, Palestina ia ka ‘shpërblyer’ Shqipërisë duke mos e njohur Kosovën dhe duke na bërë shpesh karshillëk, ashtu si kundërshtarët e tyre historikë: Izraeli nuk e njeh Kosovën. Gjithsesi, Izraeli ka marrëdhënie të shkëlqyera me vendin tonë, kjo edhe për shkak të historisë së Luftës së Dytë Botërore, që megjithatë nuk po e ndijnë shumë Shqipërinë.

Vite më parë, Qeveria “Berisha” bëri një akt shumë ‘interesant’, duke u justifikuar se ky akt shkonte në ndihmën e asaj që thuhej për Aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Strehimi i disa anëtarëve ujgurë, nxjerrë nga Guantanamo, e vuri përballë Shqipërinë me Kinën dhe për një farë kohe marrëdhëniet mes dy miqve të vjetër shkuan gati në ekstrem. Kuptohet deri në një farë mase, pasi pesha e madhe specifike e vendit aziatik dhe konjukturat nuk ia vlenin që ato të kërcënonin të prisheshin. Shqipëria bëri një investim drejt asaj që duhet thënë se ishte e tepruar. Anëtarësia në NATO dhe mbështetja e SHBA-së për pavarësinë e Kosovës është e vërtetë se mund ta zbehin argumentin e kaosit të qëndrimit shqiptar, por një gjë është e qartë: Jo pak herë vendi ynë është i paqartë.

Pak më e ngatërruar është situata me MEK, muxhahedinët iranianë. Realisht, investimi i plotë shqiptar për të mbajtur një nga organizatat, që ka qenë e etiketuar dikur si terroriste, është i guximshëm dhe shumë dashamir ndaj Aleatëve. Gjithsesi, konjuktura e mbështetjes së tyre nuk është se ka ndryshuar shumë për vendin tonë. Kjo vërtetohet pak dhe nga ndryshimet e shumta të qëndrimeve amerikane.

Administrata amerikane që në vitin 1997 e cilësoi MEK-un si organizatë terroriste ishte po ajo, që në vitin 2012 e hoqi nga lista. Paçka se Shqipëria mundohet t’i mbajë larg vëmendjes së publikut, ndryshimi i konjukturave ndërkombëtareve dhe sidomos afrimi i këtyre kohëve të SHBA-së drejt një konflikti me Iranin ka të ngjarë t’i frymëzojë ata, për të mos thënë që do të përdoren.

A do mundet Shqipëria indirekt përmes këtij grupimi, të përfitojë për kontributin e strehimit apo më keq akoma të përdoret në të ardhmen drejt konjukturave që do e destabilizojnë Iranin, kjo do burime më të shumta informacioni dhe analizë më specifike. E habitshme është se perceptimi ndaj tyre në Iran nuk është asfare dashamir. Ashtu si evropianët nuk është se ua hapën derën aqsa ua hapi Shqipëria. Kurse forca dhe mobilizimin që mund t’i bëhet atyre as nuk e trandin një regjim, që megjithë problemet jo të pakta, është disi unik sa i përket përballjes për disa nga parimet që lidhen me luftrat e tyre. Po ne kemi qenë gjithnjë larg këtyre luftrave dhe për më tepër problemeve të brendshme të Iranit.

Ekuacioni merr ndryshore të tjera kur mendon ekspozimin e Shqipërisë ndaj regjimit të sotëm të Erdoganit, që dukshëm po devijon nga NATO dhe mbi të gjitha: SHBA po e kritikon dhe është gati drejt sanksioneve për shkak të marrjes së sistemit raketor rus. Nga ana tjetër, duke ditur teprimin tonë me nderimin e politikës së Turqisë ndaj të pretenduarit si Grusht Shteti, atëherë realisht lind një pyetje: A janë të qartë zyrtarët shqiptarë për politikat e tyre?

Dhe, më shumë akoma, çfarë presin ata nga ndryshimet konjukturale nga marrëdhënia e re që mund të ngrihet, nëse Irani me SHBA fillojnë një proces negocimi, që nuk është çudi të nisë shpejt dhe madje të marrë udhë përpara zgjedhjeve amerikane. Për këtë dhe të tjera nuk ka përgjigje, sepse konjukturat tona janë shumë të pastudiuara, kurse polika jonë ndërkombëtare është disi e amullt.

Kjo të vjen ndërmend kur kujton se Shqipëria priti deri Che Guevarën, heroin e revolucionarëve të gjithë botës, kurse takimi i tij me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehun, sot e kësaj dite nuk është zbardhur zyrtarisht apo lloj-lloj militantësh, që luftuan për kauza për të cilat Shqipëria jo vetëm s’kishte lidhje por edhe nuk do ta ngrinin asnjëherë. Ndaj këto kauza mbetën të huaja dhe të pavlerësuara sepse u bënë në mënyrë të tillë nga qeveri të ndryshme në kohë të ndryshme, por me një fill të paqartë: Kaosin e mendimit. Ka ardhur koha që vendi ynë realisht të mendojë shumë më seriozisht për të ardhmen, për t’u paraprirë konjukturave ndërkombëtare dhe interesin e saj. (Homo Albanicus)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb