Nga: MENTOR KIKIA*

Në një vend dhe situatë normale, problemi më i madh me të cilin përballet një shoqëri është edhe ai që merr angazhimin e politikës në tërësi pushtetit në veçanti që është përgjegjës, dhe medias, e cila merret me pasqyrimin e gjithçkaje. Për rreth dy javë me radhë, problemi më i madh i shoqërisë sonë ishin përmbytjet në zonat fushore të Vlorës dhe Fierit. Ekranet e televizioneve transmetonin, në pjesën më të madhe të edicioneve të lajmeve, imazhet e përmbytjeve, shtëpitë nën ujë, bagëti të ngordhura dhe fshatarët që luftonin me ujin dhe kohën, për të shpëtuar ç’të mundnin nga mundi i tyre. Por, prej të paktën një jave, një pjesë të rëndësishme të lajmeve dhe debateve televizive i zë një hall tjetër, “përplasja qeveri-presidencë”.
Visar Zhiti është një njeri i mirë dhe i respektuar, një poet i admiruar, edhe pse s’mund të themi që është në elitën e letërsisë shqipe, dhe këtë pretendim besojmë se nuk e ka as vetë z.Zhiti. Prej disa ditësh ai është lakuar në lajme, në debate, në shumë komente analistësh në ekrane dhe gazeta, pasi është bërë sebepi i sherrit të radhës mes mazhorancës dhe presidentit, e bashkë me të edhe opozitës, e cila, edhe pse është dakord që Zhiti të jetë ambasador, nuk është dakord që qeveria të mos konsultohet me presidentin.
Pyetja që mund të bëjmë në këtë rast është: A është ky halli më i madh i shoqërisë shqiptare këto ditë? A është faji i medias që lë mënjanë fshatarët e përmbytur apo të tjerë të papërmbytur por po aq hallexhinj, dhe merret me luftën politike mes presidentit dhe qeverisë? Për të parën do të thoshim me një zë që, jo, nuk është ky halli më i madh i shqiptarëve dhe Shqipërisë, që të marrë vëmendjen e madhe të politikës, analistëve dhe medias për pasojë. Ndërkohë që, edhe media ka pjesën e saj të fajit, që axhenda si ajo e këtij konflikti, pa asnjë interes publik apo shoqëror, i shndërron në çështje të “mëdha”. Tashmë shumëkush e ka mësuar se pas kësaj “përplasjeje” që shitet si përpjekje për të zbatuar ligjin apo Kushtetutën, janë ca interesa të tjera. Por në këto radhë do të doja të sillnim rastin “Zhiti”, si një shembull të lajthitjes së shtetit apo politikës, e cila prodhon kauza të paqena ndërsa lë mënjanë kauzat e vërteta.
Por ky është vetëm halli i radhës i politikës që nuk përputhet askund me hallet e popullit apo shoqërisë. Mund të kujtojmë sesa orë televizive dhe faqe gazetash janë shkruar për mosmarrëveshjet e politikës dhe ecejaket e misionarëve të Brukselit, që takonin herë njërën palë e herë tjetrën, në përpjekje për t’i pajtuar ata. Më titaniket ndër këto negocime ishin ato që kanë hyrë në histori si bisedimet e “Krokodilit”, të cilave ua kanë kaluar për nga përmasat vetëm bisedimet e Rambujesë, ku do të vendosej fati i luftës mes Kosovës dhe Serbisë. Deklaratat dhe kundërdeklaratat e përditshme të politikës nga selitë respektive, në shumicën e rasteve janë lloqe. Ose më saktë, dy palët shajnë e akuzojnë njëra-tjetrën për çështje që përbëjnë shumë pak ose aspak interes për publikun. Por ata nuk zgjedhin ta bëjnë këtë në një tavolinë, as në telefon, as në “Facebook”, por zgjedhin ta bëjnë përmes ekraneve, në mënyrë që edhe populli të shikojë e dëgjojë se si po shahen mes tyre, në emër të interesave të popullit.
Axhendat e politikës, në shumicën e rasteve nuk përputhen me problemet me të cilat përballet shoqëria në tërësi apo grupe të veçanta të saj. Apo, në rastin më të mirë, ajo përputhet me këto probleme, por përdoret apo shpërdoret prej saj për të fituar sërish kredenciale politike. Ne kurrë nuk kemi parë që një problem madhor, qoftë edhe një fatkeqësi natyrore, të bëjë bashkë klasën politike. Opozita, e çfarëdolloj krahu, është gati të akuzojë qeverinë edhe si shkaktare të tërmetit, vetëm e vetëm të shfrytëzojë fatkeqësinë apo mortin për qëllime politike.
Në këtë kontekst duket se klasa politike nuk është pjesë e shoqërisë. Klasa politike përbën një strukturë më vete dhe e gjithë beteja e saj është brenda llojit të vet se kush do të qëndrojë e kush do të bjerë nga pushteti. Shoqëria, apo populli, vazhdon të qëndrojë atje në baltë, në ara, duke punuar, në tregje duke shitur, në fabrika duke punuar. Ndërsa klasa e politikanëve flet në emër të popullit, vajton për të, përgjërohet e përbetohet se po punon për interesat e tij.
Shoqëria përballet me problemin e madh të varfërisë, papunësisë, korrupsionit që po i merr frymën çdo strukture pushteti, arsimit dhe shëndetësisë më anemike se anemikët që duhet të shërojë. Por tashmë duket se halli më i madh është halli se kush do të emërohet ambasador në Vatikan, proces që për njerëzit e thjeshtë ka më pak interes se kush do të emërohet drejtor në një shkollë fshati me 14 nxënës. Sapo të kalojë ky “hall”, politika do të gjejë të tjera halle me të cilat populli të merret dhe të harrojë hallet e veta.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb