Rrallëherë Shqipëria e ka pasur kaq shumë propagandën mediatike në funksion të aksionit opozitar. Janë disa kanale televizive dhe media elektronike që i janë dedikuar këtij aksioni, ndërkohë që Pozita me mjetet jo të pakta në dispozicion, nga ana tjetër, po mundohet ta relativizojë sa të mundet situatën, sikur të jetë normalitet. Që do të thotë se ajo e paraqet si një aksion fare të zakonshëm në vendet demokratike. Media e tendosur mes këtyre qëndrimeve, mezi pret ndonjë rast të skajshëm kinse për t’u larguar. Dhe, ndodhi që njësoj si rasti i fundit i Kavajës, të shkëpusë pak vëmendjen, por sërish publikut iu servir prej saj, ajo që ka më shumë nevojë: politika. Duke mos pasur vëzhgime të kujdesshme dhe anketime ka disa skenarë hamendësimi, por e vërteta është një dhe vetëm një: Neve nuk jetojmë dot pa politikë dhe nga të gjithë pasojat e saj.

Së fundi, opozita ka bërë disa thirrje ekstreme përmes liderit të saj, Lulzim Basha, duke i kërkuar kryeministrit të vendit të japë dorëheqje, para 16 Shkurtit (kohë e precizuar për një protestë), pasi pastaj do jenë ata që do vendosin. E thënë në këtë mënyrë, lë shteg për shumë interpretime. Dhunë? Demonstrim? Skenari i huaj, që nuk ka mundur të fitojë në Rumani, nuk duket shumë i përshtatshëm për Shqipërinë. Protestat në vend, paçka dorës në dukje të opozitës që nuk është vështirë të kuptohet, kanë në thelb pakënaqësinë e madhe të njerëzve. Që përveç kritikave të natyrshme për kryeministrin e vendit si rezultat i arrogancës dhe rregullave të munguara të lojës prej tij, mbartin pakënaqësinë me gjithçka që është arritur, shtuar edhe mungesës së funksionalizimit të duhur të shtetit. Veçse retorika e ndarë dysh e opozitës për fizionominë e protestave, po luan rol jo të mirë në publik.

A do mundet aksioni politik të mbështetet edhe pas 16 Shkurtit? Kjo është dilema e pazgjidhshme, duke parë deri më tani si funksion PD dhe LSI. Për kundërshtarët e Bashës jemi afër një pakti të ri në interes të ngushtë të tij, për të tjerët ku zëri më i spikatur është ai i Berishës, kemi nevojë për skenarin venezuelian, ku protesta nuk duhet të ndalojë. Por a ka paralele dhe realitete?! Dukshëm jo, pasi Venezuela veç problemeve të mëdha të brendshme është një faktor në skakierën gjeostrategjike për shkak të pasurive natyrore, kurse Shqipëria me gjithë dëshirën e faktorizimit tonë nuk e ka këtë rol. Dhe, më shumë se kaq: Shqipëria pret hapjen e negociatave, por duket se tashmë askush nuk mund të besojë që ato mund të hapen me këtë nivel demokracie në vend dhe parametrat kudo të përkeqësuar. Çuditërisht, në vend që kjo të dhembë, ajo përjetohet gati si kënaqësi nga opozita, duke na bërë një vend hipokrit sa i përket qasjeve integruese. Megjithatë, parashikimi për mos hapjen e tyre dhe shfrytëzimi me kujdes i protestave kudo (kuptohet që një pjesë ka vetë opozitën pas), ka bërë që Pozita të lodhet dukshëm (kjo kuptohet nga gabimet e mëdha dhe sjelljet e zyrtarëve të saj), ndërsa i gjithë publiku të mërzitet me këtë gjendje tranzicioni që nuk merr fund. Çfarëdo që të jetë e ardhmja e protestës dhe pas 16 Shkurtit, Shqipëria dhe për disa vjet do të vuajë udhën e vet dhe rrugën e vështirë për krijimin e identitetit demokratik. Ndaj, qeveria Rama nuk është aq shumë e lodhur, sesa e paaftë për të përshfaqur forcën e saj në këtë kaos, që e ka krijuar vetë me drejtimin tejet të dobët në mandatin e dytë të saj. (Javanews)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: