Ai mund të jetë nën mbrojtjen e regjimit të Putinit, megjithatë, sipas burimeve të kanalit rus General SVR, presidenti i rrëzuar i Sirisë, Bashar al-Assad, ka shpëtuar për mrekulli, pasi vetëm 24 orë më parë, ai u helmua.

Atentati ndaj tij ndodhi të dielën, siç raportohet nga kanali General SVR, i cili dyshohet se drejtohet nga një ish-spiun i lartë rus.

Ish-presidenti sirian pati probleme me frymëmarrjen dhe mjekët që nxituan në banesën e tij në Moskë, ku ai ishte strehuar me familjen, arritën ta shpëtonin.

Lajmi për atentatin e dështuar ndaj tij del në dritë në një kohë kur po qarkullojnë zëra se bashkëshortja e tij Asma Asad kërkon divorcin, duke shprehur dëshirën për t’u zhvendosur në Londër. Dihet se Bashar al-Assad është nën mbrojtjen e të fortit të Kremlinit në Moskë nga 8 dhjetori 2024.

Kanali Telegram General SVR shton gjithashtu se 59-vjeçari Assad thuhet se kërkoi kujdes të menjëhershëm mjekësor pasi, brenda pak sekondash, ai filloi të “kollitej vazhdimisht dhe të ndjehej sikur po mbytej”.

Burimi i cituar nga gjenerali rus SVR konsideron se “ka të gjitha arsyet për të besuar se është bërë një atentat ndaj liderit të rrëzuar të Sirisë”.

Assad u trajtua në banesën e tij dhe gjendja e tij u stabilizua të hënën, sipas kanalit rus.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb