Institucionet më të larta të zbatimit të ligjit në SHBA mundet të bëjnë me dije sa më parë për publikun gjetjet kryesore në raportin konfidencial të Robert Mueller për hetimin e tij 22-mujor mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe çdo keqbërje të mundshme nga presidenti amerikan Donald Trump.


Prokurori i Përgjithshëm William Barr, i cili ka marrë raportin nga ish-drejtori i FBI të premten, u tha ligjvënësve amerikanë se ai mund të jetë në gjendje t’i njoftojë ato për “përfundimet kryesore të Mueller-it këtë fundjavë”. Sipas rregulloreve të Departamentit të Drejtësisë, Barr e ka përgjegjësinë për të vendosur sesa informacion mund të deklarohet për publikun e gjerë, shkruan “Reuters”.


Pyetja e madhe është nëse raporti flet për ndonjë të dhënë që tregojnë mbështetjen e Rusisë për Donald Trump apo nuk ka asnjë të dhënë të tillë. Gjithashtu, pyetje tjetër është nëse Trump u përpoq në mënyrë të paligjshme që të mbulojë hetimin për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane, ku ai është i dyshuar kryesor. Gjatë hetimeve të tij, Mueller ngriti akuza kundër 34 njerëzve dhe tre kompanive, madje mbi këto gjetje janë dhënë dënime me burg për disa këshilltarë të Trumpit.


Ligjbërësit në të dyja partitë kërkuan një publikim të shpejtë të raportit dhe demokratët në veçanti kërkuan që asgjë të mos mbahet sekret. Barr, i cili mori detyrën në shkurt, u emërua nga Trump pasi presidenti shkarkoi paraardhësin e tij Jeff Sessions në nëntor. “Unë mbetem i angazhuar për sa më shumë transparencë të jetë e mundur dhe unë do t’ju informoj për shqyrtimet që kam bërë”, u tha Barr ligjvënësve përmes një letre.

(BalkanWeb)