TIRANË-“Dorëheqja e Nasip Nacos nga ministër do të pasojë me 2-3 lëvizje të tjera në profile ministrash. Kjo do të sjellë ndryshime në qeverinë Rama-Meta”. Kështu u shpreh Drejtori i Informacionit në News24, Enton Abilekaj në rubrikën televizive ‘Opinion’ pak pas dorëheqjes së z Nasip Naco nga posti i ministrit të Drejtësisë.

“Nga informacionet që kam, thuhet se Nasip Naco ka cuar një letër në kryeministri e ka dhënë dorëheqjen me shkrim, ai thotë se arsyet janë personale, por nuk besoj se është një arsye personale, sepse prej muajsh kreu i LSI ka kërkuar impulse të reja që i shpjegonte si ndryshime në qeveri. Ka pasur disa ndryshime në fundjavë, që paralajmëronin se ndryshimet që kërkon Meta nuk fillojnë nga PS. Por deciziv ka qenë takimi Rama-Meta, takimi i fundit kokë më kokë joprotokollar, ku Meta i ka kërkuar Ramës ndryshime të posteve të 2 apo 3 ministrave socialistë. Rama tha se nuk ishte i nevojshëm, këtë e tha dhe zyrtarisht i ftuar në emisione televizive. Por ja ku jemi, u dha dorëheqja e parë. Mbërritëm tek ndryshimet në qeveri që do pasohet nga lëvizje të tjera, ndoshta brenda LSI, dhe më pas do kalojë në kabinete të tjera”, u shpreh Abilekaj.

Por cili do te jete emri qe do te marre postin e ministrit te Drejtesise. Abilekaj thekson se nga informacionet që ka siguruar, nuk do të jenë as Sajmir Tahiri dhe as Vasilika Hysi kandidatë për postin e ministrit të Drejtësisë. Sipas Abilekaj, ky post do i kalojë sërish LSI dhe emri më i përfolur është ai i Ylli Manjanit.
“Ylli Manjani do të kalojë tek Drejtësia sipas informacioneve që kam unë. Manjani, në vend të Nacos, nëse LSI do vendosë të mbajë drejtësinë”.

Drejtori i Informacionit në News24 shpjegon se Naco ka dhënë dorëheqjen pas një insistimi të kreut të LSI, z Ilir Meta. Sipas Abilekaj, LSI ka dëshmuar se bën herë pas here rotacione në rang ministrash.

“Nga informacioni që kam, e vetmja gjë e sigurt është se Naco është larguar pas një insistimi të kreut të LSI. Meta nuk do tërhiqej nga ndryshimet në qeveri dhe skenarët kanë qenë të ndryshme deri në zgjedhjet e reja dhe për shkak të konflikteve që kishin dy kryetarët. Dorëheqja e Nacos pritet të sjellë dhe dy dorëheqje te reja po nga LSI. LSI e ka treguar se i ka ndërruar ministrat e tij dhe shumë kandidatë kanë ndjekur një lloj rotacioni, por në këtë mandat qeverisës, Naco mbetet vetëm politikan pasi nuk është më as deputet, por mund të mbajë funksione politike në parti. Kjo përmbush qëllimet e z Meta, bën ndryshimet e para në qeveri, por dhe një rotacion brenda partisë.”

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb