TIRANE – Lidhur me notën e protestës së tre televizioneve informative ndaj Ministrisë së Brendshme për informim selektiv, Drejtori i Informacionit në “News 24”, Enton Abilekaj shpjegoi se kjo “është një sëmundje e futur rishtaz në media”. Sipas tij, “tentativa e qeverisë për të ndikuar në treg, është një tentativë e rrezikshme, që krijon një precedent negativ dhe që mund të shndrrohet në një problem shumë të madh.”


OPINIONI I Z. ENTON ABILEKAJ “


“Ky është një realitet që dihet tashmë prej një viti e gjysëm. Është një sëmundje e futur rishtaz në media, ku një ministri e caktuar apo më shumë se një ministri e caktuar – nuk dua të përfshij gjithë qeverinë në këtë – kryen një informim selektiv, një informim që është i palejueshëm nga ligji në radhë të parë, sepse nuk mund të bëhet ky selektim. Nuk lejohet të ndërhyjë në një treg çfarëdo, askush, as qeveria, as një faktor i jashtëm.

Ne kemi folur vazhdimisht, është diskutuar vazhdimisht jashtë kamerave. Nuk ka pasur reagim, nuk ka pasur reflektim prej institucioneve përkatëse dhe sot ishte një prej rasteve flagrante, që ishim të detyruar ta denonconim.

Mua më vjen keq, denoncimi ynë nuk kishte lidhje me kolegët tanë të asnjë medieje, sepse edhe ata janë viktima të këtij selektimi. Ata janë selektuar pa dashje. Mund të ishim ne të selektuarit dhe nuk duhet ta pranonim. Më vjen keq për reagimin e tyre, sepse ata janë po aq viktima sa gjithë të tjerët në këtë treg, sepse përzgjedhja e një medieje të caktuar është një dëm që i bëhet të gjithëve.

Kjo nuk është se ka rrezikuar shikueshmërinë e “News24” apo të televizioneve të tjera. Kjo është një ndërhyrje brutale e shtetit, e qeverisë, në pushtetin e katërt. Nuk denoncohet se prish punë në mediat – ato që protestojnë sot janë tre televizionet kryesore informative. Kjo tregon se nuk ka ndikuar dot në treg, por tentativa e qeverisë për të ndikuar në këtë treg, është një tentativë e rrezikshme, që krijon një precedent negativ dhe që mund të shndrrohet në një problem shumë të madh,” – përfundoi Abilekaj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Etiketa: